Pas Brukselit, reagon në Tiranë ambasadori i Bashkimit europian Luixhi Soreka kundëer bojkotit dhe lënies së mandateve nga opozita shqiptare. Soreka thotë në një intervistë për Top-Channel, se kjo nuk con në drejtimin e duhur dhe është kundër interesit të qyetarëve. Bashkimi europian kërkon që mazhoranca dhe opozita të dialogojnë për ta ulur tensionin.

Nga Muhamed Veliu Top-Channel

Delegacioni i BE-së bëri një deklaratë me tone tepër kritike rreth akteve të dhunshme që pamë gjatë protestës të së shtunës. A jeni i shqetësuar se thirrja juaj mund të bjerë në vesh të shurdhër?

E drejta e qytetarëve për t’u angazhuar në demonstrata paqësore është një tipar themelor dhe një vlerë thelbësore për çdo demokraci të pjekur dhe duhet të garantohet. Me mijëra njerëz u mblodhën në Tiranë për të shprehur mendimet e tyre. Ishte një paraqitje e shkëlqyer e qytetarëve të angazhuar. Ndaj e shtuna ishte një mundësi e shkëlqyer për të dhënë një mesazh të fortë politik nga opozita. Por ajo çka pamë ishin disa dhjetëra protestues që për fat të keq përdorën veprime të dhunshme dhe shkaktuan dëme ndaj pronës publike. Kjo është qartazi e papranueshme dhe është një mundësi e humbur.

Cili është vlerësimi juaj në lidhje me sjelljen e policisë së shtetit shqiptar gjatë protestës dhe a mendoni se përdorimi i gazit lotsjellës ishte i justifikuar?

Fakti që nuk ndodhën incidente të mëdha është i mirëpritur dhe unë mendoj se kjo ndodhi edhe në sajë të aftësisë së policisë së shtetit shqiptar, e cila përdori forcë proporcionale për t’ifrenuar protestuesit e dhunshëm pa krijuar incidente dhe përshkallëzim të mëtejshëm.

Opozita ka vendosur të heqë dorë nga vendet e saj në parlament, çka do të thotë se nuk do të ketë opozitë në parlament. Sa turbullues/shqetësues është ky zhvillim për Shqipërinë?

Parlamenti është baza e çdo demokracie evropiane –ai është vendi ku duhet të diskutohen dhe të çohen përpara debatet mbi reformat dhe zhvillimet përkatëse. Parlamenti nuk duhet bojkotuar. Dëgjuam njoftimin nga partitë opozitare që deputetët individualë do të heqin dorë nga mandatet e tyre aktuale. Çdo deputeti individual i takon të vendosë vetë se çfarë do të bëjë me përgjegjësinë që kanë marrë para votuesve të tyre për të mbrojtur pozitat dhe interesat e tyre në Parlament.

Kjo është detyra e tyre themelore. Është e qartë, megjithatë, se heqja dorë nga mandatet është dukshëm kundërproduktive për Shqipërinë dhe shkon kundër interesave të qytetarëve për reforma. 93% e shqiptarëve dëshirojnë t’i bashkohen BE-së që do të thotëvotues nga të gjitha krahët e Parlamentit. Vendi është aktualisht i angazhuar në një rrugë të rëndësishme për reforma. Qershorin e ardhshëm ai do të gjykohet nga progresi i bërë në këto reforma. Pikësëpari, reforma në drejtësi, thelbi i të gjithë ringritjes së shoqërisë shqiptare. Këtu duhet të fokusohen të gjitha përpjekjet e shumicës dhe të opozitës. Për të ngritur të gjitha institucionet e reformës në drejtësi, dhe në veçanti SPAK-un dhe BKH-në. Ky objektiv i rëndësishëm duhet të udhëheqë vendimet e të gjitha partive politike. Dhe bojkotimi i Parlamentit nuk shkon në këtë drejtim. Nga ana tjetër, ne ftojmë si qeverinë ashtu dhe opozitën që të angazhohen në diskutime konstruktive me qëllim që ta kapërcejnë situatën politike aktuale dhe të garantojnë që vendi të vazhdojë në rrugën e tij të reformave. Nuk ka kohë për të humbur. Koha është tani.