Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka reaguar në rrjetet sociale mbi protestën e djeshme të PD-LSI.

Manastirliu teksa thekson se ekipet mjeksore kanë qenë në gatishmëri gjithë ditën e djeshme në shërbim të personave të lënduar, shprehet se ‘Dëshpërimi i atyre, që të vetmen gjuhë që njohin kanë gjuhën e shashkave dhe të vetmen alternativë, dhunën ndaj institucioneve, shkaktoi lëndime fizike mbi pesë policë, të cilët u goditën në fytyrë dhe gjymtyrë. Fatmirësisht, pa pasoja të rënda për shëndetin e tyre.’

Ja postimi i plotë:

11 personat e lënduar gjatë protestës së dhunshme të opozitës kanë lënë spitalin në gjendje të stabilizuar.

Gatishmëria e ekipeve tona mjekësore gjatë dhe pas protestës së opozitës, që precipitoi në mënyrën më të shëmtuar dhe të papërgjegjshme në dhunë ndaj forcave të rendit, ishte si çdo herë maksimale, duke trajtuar në kohë policët dhe qytetarët e lënduar.

Dëshpërimi i atyre, që të vetmen gjuhë që njohin kanë gjuhën e shashkave dhe të vetmen alternativë, dhunën ndaj institucioneve, shkaktoi lëndime fizike mbi pesë policë, të cilët u goditën në fytyrë dhe gjymtyrë. Fatmirësisht, pa pasoja të rënda për shëndetin e tyre.

Gjatë protestës së djeshme 11 persona janë transportuar me autoambulancat dhe ekipet e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, nga të cilët pesë punonjës policie dhe një protestues u trajtuan në spitalin universitar të Traumës nga lëndimet e marra për shkak të lëndëve plasëse. Ndërsa pesë qytetarë kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Një falënderim për të gjithë ekipet e urgjencës mjekësore paraspitalore të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore dhe stafeve të urgjencave të QSUT dhe spitalit universitar të Traumës për gatishmërinë dhe profesionalizmin e treguar🙏