Nga Elda Shabani/

Duke vërejtur mbi kostumet festive, si ato të ballove me maska apo karnavalet dhe ngjarje të tjera në kultura të ndryshme që vijnë që nga lashtësia, dallohet qartë se elementi kryesor, i cili plotëson artistikisht një veshje festive është Maska. Kjo temë më bëri të mendoj: çfarë e bën maskën edhe pse me një kulturë e traditë të lashtë të duket kaq mistike dhe e prekshme edhe në ditët e sotme? Koleksionet e modës të sezonit Vjeshtë/ Dimër 2018 paralajmëruan tendencën e përdorimit të maskës. Modelet në pasarele u shfaqën me një stil në formën e maskimit, ku disa prej tyre përcillnin mesazhin jo vetëm të argëtimit, gëzimit, por të disa prej tyre, dallohej qartë funksioni i mbrojtjes ndaj një fenomeni negativ që vjen nga jashtë.

Me një formë dhe strukturë mahnitëse, me detaje e plot fantazi, maska tregon se si veshja dhe trupi janë ngatërruar në mënyrë intime dhe komplekse. Ajo vepron si një hapësirë duke fshehur plotësisht trupin, ashtu si muret e një ndërtese. Prandaj maska mbetet një aksesor shumë provokues, i cili paraqet trupin tonë si një spektakël ngjyrash: Cili vëzhgon cilin? Ndërsa maska po shikohet, personi brenda maskës shikon shikuesin dhe spektakli në vetvete bëhet i dyfishtë.

Nëse do t’i rikthehemi studimit dhe historisë së Maskës, kuptojmë se disa prej tyre mund të transformojnë dhe të ndryshojnë thelbin e mbajtësit të saj, duke i bërë ato hyjnore, si psh maskat në antikitet. Brenda performancës, shpesh shprehin botën tjetër të shpirtrave dhe bëjnë të dukshëm atë që është e padukshme. Në traditën klasike teatrore të Greqisë dhe Romës, maska u përdor si identifikim i karakterit, jo si mashtrim apo maskim. Ato ishin prej liri, apo prej druri të lehtë; shprehnin situata të gëzueshme festash si Martesa, apo Karnavalet.

Sot, shembujt më tërheqës të maskave të fytyrës (të paktën për një audiencë perëndimore) ndoshta vijnë nga Afrika. Ndërkohë në kulturën moderne europiane, maska ka funksion jo vetëm estetik por edhe utilitar. Gjatë shekullit të gjashtëmbëdhjetë, Maskat janë përdorur së pari nga femrat europiane për të mbrojtur ngjyrën e zbehtë të lëkurës nga dielli, e cila për kohën ishte shumë në modë. Ky përdorim praktik i maskave vazhdoi deri në shekujt shtatëmbëdhjetë dhe tetëmbëdhjetë.

Maska prej mëndafshi, satini, kadife, ose ndonjë material tjetër i butë, mbulonin plotësisht ose pjesërisht fytyrën. Femrat e aristokracisë të shek. tetëmbëdhjetë fshihnin identitetin e tyre në situata të ndryshme, psh. shpesh herë në shfaqje teatrale ose thjesht për të mbajtur një ajër misterioz në mbrëmjet e mëdha festive, për të joshur meshkujt ose anasjelltas. Gjatë shekullit të tetëmbëdhjetë, ballot me maska ishin në modë për aristokracinë angleze ndërkohë, paralelisht maska në Francë përdorej për karnavalet, të cilat gjithnjë e më shumë po politizoheshin për të sulmuar monarkinë; të varfërit maskoheshin si peshkopë, avokatë apo aristokratë; dhe të pasurit si lypësa, fshatarë.

Pavarësisht nga gjinia dhe klasa, ky ishte një manifestim, ku të gjithë burrat dhe gratë ishin të lirë të kënaqnin prirjet e tyre seksuale me persona të çfarëdo seksi si dhe statusi social. Me Revolucionin Francez, karnavalet dhe maskat përkohësisht u ndaluan. Ndërkohë, Anglia i vazhdoi festimet me kostumet me maska dhe sigurisht Londra solli modën e kostumeve më të bukura dhe më të preferuarat, maskat orientale.

Tek artistët e shekullit njëzetë, përdorimi i maskës u shfaq për të eksploruar idenë e individualitetit. Ndjesia e mistikës, e ruajtjes së privatësisë, e instiktit të lojës, por edhe të lirisë, që të ofron maska, është kapur dhe përshkruar shkëlqyeshëm nga Paul Cezanne dhe James Ennor, ky i fundit u quajt piktori i maskave. Më vonë u panë edhe tek punimet e Chaggall-it si dhe të Picassos, ku shfaqen maskat afgane dhe që u përdorën gjerësisht si subjekte në veprat e tyre, duke krijuar një art më të furishëm, ku thelbi i saj nuk ishte arratisja nga e vërteta apo vetvetja, duke u fshehur nëpërmjet një trupi tjetër, por përkundrazi, qëllimi i saj ishte të zbulonte, me tone sarkastike si dhe nëpërmjet elementeve magjike, imazhin e një bote ku gjithçka është refuzimi i rregullave.

Për njeriun modern, maskat shërbejnë për të kujtuar se si e kaluara dhe e tashmja janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme dhe sa shumë i rëndësishëm është integrimi moral dhe social i secilit prej nesh në shoqëri. Power Mask apo Fuqia e Maskës, është të zbulojë atë çfarë ne na bashkon; gëzimi, ndjenja e lirisë dhe e individualitetit, si dhe kurioziteti apo dëshira jonë për të magjishmen.

Lër një koment

Please enter your comment!
Please enter your name here