Alfred Peza

Nëse ka një kazus, një shembull, një model, një simbol mediatik për një lider në hallin më të madh të jetës së tij politike, atë mund ta gjeni tek intervista e e fundit e Lulzim Bashës, dhënë për gazetaren Anila Shuke të medias publike gjermane “Deutsche Welle”. Le ti marim me radhë të gjitha elementët:

Pyetja e gazetares: Cili qe mesazhi që morët tek Kancelaria, tek zyra e Kancelares Merkel?

Përgjigja e Lulzim Bashës: “… nuk jam i lirë të atribuoj përmbajtjen e këtyre bisedave. Por konkluzioni, është ky: Gjermania është thellësisht e shqetësuar për gjendjen ku ndodhet vendi aktualisht”.

Çfarë fsheh Kryetari i PD pas kësaj përgjigje? Si mund ta thotë Lulzim Basha atë që thotë publikisht ministri i Shtetit për Europën i Kancelares Merkel, Michael Roth se: “Pres që opozita shqiptare të reagojë drejt në përgjegjësinë e saj për demokraci. Nuk është aspak e qartë për mua se si ajo mund të shpallë një bojkot parlamentar, se si bojkoton zgjedhjet lokale. Parlamenti është pikërisht vendi ku duhen bërë debatet kritike. Nuk mund t’i ikësh kësaj përgjegjësie.”

Pyetja e radhës e gazetares së “DW” na ndihmon për me tëj: Shqetësim kanë gjermanët edhe për shkak të largimit tuaj nga institucionet. Si do t’i zgjidhni ju këto probleme, me përmbysjen e qeverisë?

Përgjigja e Lulzim Bashës: “Kjo krizë mund të zgjidhet vetëm duke aplikuar standardet dhe precedentët evropianë.” Bukur! Pas kësaj të gjithë mendojnë se më në fund Kryetari i PD do ti përgjigjet shqetësimit gjerman për largimin nga institucionet. Por… Basha nuk ka për tju zhgënjyer kurrë. Ndaj rrini të qetë. E ka gati zgjidhjen e tij magjike, në fjalinë pasardhëse: “Në cilin vend të Evropës nuk do ta kishte dhënë dorëheqjen një kryeministër?!”

Përgjigja gjermane për z. Basha është: “Opozita shqiptare nuk është aspak e interesuar që Shqipëria të anëtarësohet në BE dhe se po ndjek një politikë penguese të papërgjegjshme në kurriz të popullit të Shqipërisë. Kjo nuk është e pranueshme!”. Kush e thotë këtë? Sërisht ministri i Kancelares Merkel.

Pas kësaj, gazetarja vijon me një seri pyetjesh, ku Lulzim Basha vihet gjithmonë e më në vështirësi, duke dhënë përgjigje nga ato që vetëm ai di të japë. Ja disa nga pyetjet e tjera:

“Shumë përfaqësues të CDU/CSU-së, edhe deputetë këtu, që e shohin pak më ndryshe nga ju këtë çështje…”
“Ju mund t’i bëni të gjitha këto biseda edhe me Ramën. Ai ju ka bërë 7 letra…”
“Ju jeni përgjegjës për stabilitetin politik të vendit, sepse ju po bëni thirrje për kryengritje…”
“Zoti Basha, Ministri i Brendshëm ju ka akuzuar juve që jeni përgjegjës për 4 vr.asjet e 21 Janarit 2011…”
“Të mos e kthejmë në miting të PD…”
“… edhe ju, duke qenë pjesëmarrës i një qeverie të mëparshme, keni përgjegjësinë tuaj për gjendjen e vendit”.
“… ju, me të tjerë persona që, nuk po them janë konsumuar, por e kanë dëshmuar aftësinë e tyre qeverisëse, të largoheni për t’i lënë vend brezit të ri?
Përgjigjet e Bashës gjatë gjithë kohës vijojnë në stilin kinez të kohë së “Revolucionit Kulturor” të këtu e gjysëm shekulli më parë: “… si përfaqësues i një gjenerate të re të shqiptarëve, si një njeri që ka privilegjin dhe përgjegjësinë të drejtojë një parti politike dhe një opozitë, të bashkuar rreth vlerave, programit dhe vizionit europian për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza. Kjo është arsyeja pse ndodhem këtu, si një partner i besueshëm i Gjermanisë, sot si kryetar i opozitës dhe nesër, me besimin e qytetarëve shqiptarë, në drejtimin e një qeverie europiane, me zgjedhje të lira e të ndershme.”

A thua se nuk ishte Gjermania që i tha se: “Opozita sikur nuk është aspak e interesuar që Shqipëria të anëtarësohet në BE dhe se po ndjek një politikë penguese e të papërgjegjshme në kurriz të popullit të Shqipërisë. Kjo nuk është e pranueshme!”

Por ska gjë. Mundohuni që ta mirëkuptoni Kryetarin e opozitës sonë jashtparlamentare. E rëndësishme është që Lulzim Basha nuk e fsheh më, se është në hall. Madje në një hall aq të madh, sa duhet parë si viktimë. Ndaj si i tillë, ai jo vetë duhet mirëkuptuar, por mëshiruar. E pse jo, edhe shpëtuar!