Nga Ylli Pata

Lulzim Basha si kryetar i Partisë Demokratike ka kaluar tre zgjedhje të kushtezuara ku ka kërcënuar se nuk d të hyjë. Në zgjedhjet vendore të vitit 2015, Basha kërcënoi hyrjen dhe përfitoi miratimin e ligjit për dekriminalizimin, ku arriti një mundësi të artë për të përfituar politikisht, ku në radhë të parë njolloste kundërshtarin dhe të paktën të homologonte imazhin e ndotur të PD-së nga zgjedhjet e vitit 2013, por edhe bënte make up figurës së tij politike.

Zgjedhjet vendore të qershorit 2015 i humbi, por nuk mori mbi vete asnjë kosto politike që nuk arriti të fitojë asnjë qytet të madh të vendit përveç Shkodrës. Nuk mbajti përgjegjësi për asnjë kandidat që propozoi, edhe pse baza e PD-së jo vetëm që nuk ja pëlqeu, por edhe ja kontestoi hapur. Kush e mban mend, Basha me propozimet e tij shkaktoi çarjet në degët e PD-së nga Malësia e Madhe e deri në Konispol. Ish-krerët e komunave të PD-së kandiduan për parti të vogla të së djathtës pikërisht pasi Basha i kishte prerë në besë ose i kishte injoruar.

U larguan krerë shumë të rëndësishëm dhe ish- deputetë degësh siç ishte ai i degës së Dibrës, Rrahim Kaleci, por edhe në Shkodër bastion i PD-së partia u nda dysh dhe jo vetëm përkrahës por militant të dorës së parë që u trajtuan me klientelizëm nga Basha. Megjithatë politikisht kreu i PD-së nuk mbajti përgjegjësi por akuzoi Ramën dhe Metën atëherë se kanë marrë në duart e tyre krimin e korrupsionin.

Në vitin 2017 instaloi çadrën dhe nisi aleancën e fshehtë me Ilir Metën për të bërë të mundur rrëzimin e Edi Ramës përpara se të mbahen zgjedhjet Parlamentare. Nuk pati asnjë kërkesë tjetër përpos rrëzimin e Edi Ramës. Në fund siç dihet, bëri marrëveshje me kryeministrin, ku spastroi PD-në dhe sulmoi LSI-në e PDIU-në. Mori gjysmën e qeverisë së Edi Ramës, deri edhe disa ente e drejtori me shumë lekë dhe në fund humbi zgjedhjet. Qëndroi në heshtje për dy muaj dhe më pas shpalli se nuk do të njohë votimet, që i kishin certefikuar të gjithë komisionerët e PD-së.

Sa për kujtesë sot është 14 maji, dita kur Lulzim Basha ishte protagonist 8 vite më parë në një palë zgjedhje verndore siç ishin ato të vitit 2011. Ai hyri si kandidat për bashkinë e Tiranës duke konkurruar Edi Ramën atëherë lider i opozitës. Në aleancë me LSI-në si sot, Basha kishte me vete të gjithë makinerinë shtetërore, ku PD-ja nuk ua vuri fare veshin qyteteve të tjera vetëm e vetëm që të marrë kryeqytetin, duke sjellë përveç të tjerve edhe qytetar të importuar në javët e fundit si nga rrethet e tjera, por edhe nga jashtë shtetit nëpërmjet një kompania ajrore ku të gjithë thonin se e kontrollonte Basha.

Zgjedhjet për bashkinë e Tiranës së vitit 2011 është dëshmia autentike e Lulzim Bashës garues në zgjedhje. Ai i humbi zgjedhjet, edhe pse kishte të gjithë shtetin por edhe Ilir Metën e Fatos Nanon në krah dhe policinë e shtetit të angazhuar ngushtësisht në procesin zgjedhor.

Rama fitoi me 10 vota diferencë. Por Basha nuk e pranoi rezultatin. Ndoshta edhe mund të kishte arsye, sepse 10 vota janë shumë pak por nuk kërkoi ripërsëritjen e zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës. Jo. Pas një sondazhi të Arben Ristanit atëherë në krye të KQZ-së vendosi që të quajë si vota për kryetar të bashkisë, ata që ishin hedhur në kutinë e gabuar, kur kutitë ishin në bodrumin e KQZ-së pa një ruajtje që garantonte besimin e palës tjetër.

Dhe papritur këto vota ishin 80 plus për Bashën, ku çuditërisht të gjithë këta votues që nuk dinin ku të fusnin fletën kishin qëlluar të gjithë përkrahës të tij. Një vendim që shkatërroi aksiomën e “artë” të pranuar edhe në vitin e mbrapshtë 1997, ku rregullat nuk ndryshohen në mes të lojës.

Vetë OSBE-ODIHR në raportin final për zgjedhjet e vitit 2011 e cilësoi këtë një “mbikalim” të ligjit. Misioni i ODIHR drejtohej si rrallë ndonjëherë nga një zyrtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Lulzim Basha ka pasur vetëm një rast ku ka hyrë në zgjedhje; kur Sali Berisha dhe Ilir Meta i garantuan atij fitoren.

Më pas kur mori edhe PD-në nuk pati kurrë kurajon të marrë partinë e të fitojë. Por ka harxhuar energji të panumërta jo vetëm për militantët e së djathtës por edhe për vendin ngaqë nuk ka pasur siguri se do të fitojë. E natyrisht nuk ka dashur të mbajë përgjegjësi për humbjen… Me një fjalë ka bërë xhiro bosh siç ishte ajo e së hënës në marshimin e Tiranës…