Nga Alfred Peza/

Gjatë vitit 2019 ritmet e lojës politike në Shqipëri, nuk do të përcaktohen as nga protestat, as nga zgjedhjet lokale dhe as nga ndonjë faktor tjetër nga ato të derisotmit. Do të jenë SPAK (Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) dhe BKH (Byroja Kombëtare e Hetimit) ato që do të vendosen në rolin e DJ (disk jockey) për të diktuar edhe llojin, edhe ritmin, por edhe tonalitetin e muzikës që këtë radhë nuk do të përzgjidhet më nga shqiptarët, por nga SHBA dhe BE.

Sinjalet e para për zhbllokimin e ngërçit në implementimin e reformës në drejtësi, u dhanë që në dhjetor kur u krijuan si KLP (Këshilli i Lartë i Prokurorisë) dhe KLGJ (Këshilli i Lartë Gjyqësor). Pas kësaj, nisin procedurat për zgjedhjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm të Përhershëm dhe emërimi i anëtarëve të SPAK. Po pse SPAK është kaq shumë i rëndësishëm dhe përcaktues për të gjitha zhvillimet kryesore në Shqipëri gjatë 2019 e në vijim?

Kjo strukturë do të meret posaçërisht me luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit në nivelet më të larta politike, qeveritare e shtetërore në Shqipëri, duke patur fuqinë që të rihapë edhe të gjitha dosjet e kësaj kategorie, nga viti 1990 e deri më sot. Në këto kushte, pas miratimit nga qeveria të kërkesave të studentëve dhe pas zgjidhjes që i është dhënë problemeve të qytetarëve që preken nga zbatimi i projektit për zgjerimin e Unazës së Madhe në Tiranë, kanë rënë shkaqet që çuan në protestat e tyre qytetare.

Kjo nxjerr zbuluar opozitën, liderët e së cilës, si e gjithë klasa politike shqiptare e 30 viteve të fundit, do të përballet gjatë këtij viti me SPAK-un. Ndaj për ta vonuar sa më shumë ardhjen e kësaj dite, me shpresën se duke mbajtur të ndezur klimën e tensionit ose mund të kërkojnë kompromise dhe marrëveshje politike në tavolinë, ose do të provokojnë krizë politike e deri mundësisht zgjedhje të parakohëshme, duket se nuk kanë strategji tjetër për 2019, por thjeshtë dhe vetëm mbajtjen me çdo çmim ndezur, të vatrave të protestave të 2018.

Ndaj u duhet aq shumë që studentët të rikthehen jo në auditore në janar, por në rrugë dhe qytetarët e Astirit të mos gjejnë zgjidhjen ligjore që u takon, por të vijojnë të protestojnë. Tendenca që u vu re vitin e shkuar nga ana e opozitës,- ajo e rrëmbimit të flamurit të protestave qytetare nga Kukësi në Tiranë për ti shitur ato si kauzat e veta,- pritet që të vijojë. Tashmë është e qartë se pas kësaj, nuk kemi më protesta qytetare për zgjidhje të çështjeve të tyre civile, por protesta politike opozitare, nën emrin e qytetarëve dhe grupeve të tyre të interesit.

PD dhe LSI sëbashku me aleatët e tyre kanë plot 9 muaj, që nga maji i vitit të kaluar, që nuk zhvillojnë dot qoftë edhe një miting të vetëm nëpër rrugët dhe sheshet e Shqipërisë. Çka do të thotë, se opozita e bashkuar nuk e ka më as mbështetjen popullore dhe as popullin opozitar, që dikur u dilte pothuajse çdo ditë në rrugë kundër qeverive të majta. Të pafuqishme për të bërë këtë, opozita në muajt e fundit të vitit të shkuar, ndryshoi totalisht strategji.

Në vend të kauzave të veta opozitare, ajo nisi të vjedhë kauzat qytetare. Në vend të prostestave të thirrura nga PD e LSI, nisi grabitja e protestave të grupeve të ndryshme të interesit. Por as kjo dhe as dhimbja përballë ngritjes me shpejtësi tashmë të institucioneve të reja të drejtësisë, nuk do ta shpëtojë dot as liderët e opozitës në veçanti dhe as ata të të gjithë klasës politike në përgjithësi, nga përballja me SPAK dhe BKH.

Ndaj, sa më shumë i shihni që të përpëliten, të gërthasin, të çirren, të ngjiren, të shajnë e kërcënojnë, dijeni se aq më shumë po e ndjejnë ti ngushtohet laku. Eshtë muzika e re e drejtësisë së re, që dikton tani e tutje ritmet e reja të lëvizjeve politike. Nëse për 2018 u tha se ishte viti i protestave, e sigurtë është që 2019, do të jetë viti i përballjes së elitës politike shqiptare me SPAK-un. Ndaj, shijojeni muzikën e re që SHBA dhe BE, ka ndezur tashmë për shqiptarët!