Në mënyrë të befasishme dhe pa asnjë arsye, pak ditë më parë nga FSHF iu hoq stema e FIFA-s dy arbitrave anësorë Ermal Barushit dhe Ergin Dodës. Të dy ata kanë performuar më mirë se kushdo në këtë sezon, madje vlerësime pozitive morën edhe në ndeshjet eliminatore të “Europe League”, ku së bashku me kryesorin Jorgji u dalluan për vendimet korrekte. Duke parë që nga ana profesionale ishin të paprekshëm, FSHF I bëri ‘kurban’ me kriterin ‘për mosbindje ndaj sistemit’.

Nuk dihet nëse ky ka qenë kriteri, por sot në Durrës është organizuar ceremonia e emërimit të arbitrave të rinj me stemën e FIFA-s. Ata që do të kenë mundesi të gjykojnë në kompeticionet Europiane dhe Botërore do të jenë 3 arbitra kryesore dhe 6 anësorë. Vendin e dy arbitrave të larguar do ta plotësojnë anësorët Nertil Bregasi dhe Dojando Myftari.

Më herët, FSHF u përpoq t’i shiste këto ndryshime si kërkesa të FIFA-s, por e vërteta është se nën rrogoz emrat e arbitrave të rinj kanë qarkulluar para se të bëheshin publikë në faqen e institucionit më të madh të futbollit në botë. Duke parë ‘pazaret’ që bëhen me arbitrat, gjithkush mund t’i japë vetë përgjigje pyetjes se përse në kampionatin tonë kemi gjitmonë e më shumë gabime të cilësuara si jo njerëzore nga xhaketat e zeza.