Nga Skënder Minxhozi/

Ishin zgjedhje të shëmtuara. Madje nuk ishin zgjedhje fare, ishin votime. Le t’i qëndrojmë këtij përcaktimi dhe të mos kërkojmë as nga Audrey Glover e vëzhguesit që ajo drejton, që t’i japin një certifikatë kaluese ose pakaluese këtyre votimeve. Në 30 qershor u votua që të mbahej shteti shqiptar në procedurë dhe që t’u dëshmohej atyre që donin kaos dhe pushtet në tavolinë, se sistemi është më i fortë sesa interesat e partive. Të tjerat janë broçkulla si kofini pas të vjelit.

Të tilla janë edhe llogaritë që bëhen mbi pjesëmarrjen në zgjedhje, duke prodhuar një realitet aq haluçinant e qesharak, sa të dyja kampet këndojnë fitore njëkohësisht! Rama thotë se arriti fitoren më të mundimshme, ndërkohë që është votuar për një palë të vetme, pa garë dhe pa programe apo bilance. Kurse Basha, Meta e të tjerët shkojnë edhe më larg në budallëkun e shifrave, kur thonë se 85% e votuesve janë kundër Ramës. Edhe ata që prej 20 vitesh kanë emigruar në Australi, edhe fëmijët e tyre të ikur dy apo tre vjeç e që sot s’dinë asnjë fjalë shqip, por figurojnë formalisht në listat zgjedhore! Shqiptarët kanë dekada që votojnë më masën 45-50%, edhe kur në garë kanë qenë Lulzim Basha, Ilir Meta dhe Sali Berisha.

Të bësh kalkulime se cili doli fitimtar e humbës nga këto votime, do të thotë të mos kesh nxjerrë asnjë mësim nga ajo që ndodhi. Në 30 qershor qeveria mori mesazhin se do të mbajë artificialisht të gjithë pushtetin vendor mbi shpinë, edhe duke fituar në vende të tilla si Tropoja e Shkodra. E kjo është një anomali që s’mund ta bëjë të lumtur asnjë socialist me dy pare tru. Edi Rama duhet të nxjerrë mësimin se nga kjo përballje që për pak degjeneroi në përplasje civile, duhet të ndërtojë një iniciativë që të tërheqë gradualisht (të paktën të tentojë ta bëjë) edhe opozitën në sistem. Pas 30 qershorit asgjë nuk është si më parë, megjithëse duket kështu. Ftesat formale për dialog duhet të jenë më insistuese dhe të mbushura me përmbajtje, për të mos mbetur në shpotitë dhe batutat e rrjetit social, por për të ndërtuar një strukturë negociatash serioze, e që do të ngërthejnë të gjithë gamën e krizës politike shqiptare.

Nga ana e saj, opozita, e cila duket se ndodhet në pozitën e vështirë të gjendjes së një rrugëdaljeje nga Amoku i lëvizjes së dështuar “Rama ik”, ka rastin që këtë votim ta shohë jo thjeshte me syzet prej miopi të atij që llogarit 85% të shqiptarëve si anëtarë të Partisë Demokratike. Por me logjikën e ftohtë të grupimit politik që aktualisht ndodhet jashtë çdo formati institucional të këtij vendi (me përjashtim të organizatës opozitare me emrin Presidencë). Mosrrëzimi i Edi Ramës, pamundësia e pengimit të 30 qershorit dhe kriza e thellë me ndërkombëtarët, janë piketa që duhet të bëjnë të reflektojë çdo zyrtar të opozitës së sotme. Për pasojë, ata që thonë me lehtësi fluturake se pas kësaj të diele nuk ndryshon asgjë, se do të vijojmë protestat, se kemi fituar, se i kemi votat – pra nëse vijohet me këto fantazira pa sens, dy rrugë mbeten: ose të shkohet në zgjedhje që ato vota të kthehen në mbështetje për të fituar pushtetin, ose të vendoset ulja në dialog. Protestat e provuan veten si një mjet që futi në krizë Shqipërinë më shumë sesa Edi Ramën dhe si një rrugë e shkurtër që nuk e afroi opozitën tek pushteti.

30 qershori i përket një kohe tjetër. Tani jemi në korrik. Asgjë s’është më si më parë.