Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka dhënë motive se përse duhet rrëzuar dekreti i presidentit Ilir Meta për ligjin e Vettingut. Ai është shprehur se ligji i ri nuk e ndryshon në themel ligjin e vjetër.

“Diskutimi vjen në një kohë për një çështje që nuk ekziston, kohë nga parlamenti, presidenti. Pse nuk ekziston? Ligji nuk ndryshon në substancë nga i pari, janë ndryshime kozmetike, që nuk prekim thelbin e ligjit të vjetër. Ligji i vjetër parashikonte që vettingu të bëhej për të gjithë policët dhe drejtuesit, kështu është edhe në ligjin e ri. Nuk ka asnjë ndryshim ligji i ri me të vjetrin. Vettingu sipas ligjit të vjetër duhet të mbyllet në mars të 2020, sot jemi në maj dhe ende nuk ka nisur dosja e parë. A mund të mbyllet Vettingu i 14 mijë vetave në një kohë kaq të shkurtër? Kush do që është në favor të Vettingut duhet të jetë në favor të rrëzimit të dekretit të presidenti. Në duhet të rrijmë në një proces Vettingu pa fund. Një punonjës policie që e kalon Vettingun sot, mund të merret nesër me vepra kriminale. Ka nevojë që të rregullojmë SHÇBA-në, e jo të krijojmë një strukturë ekstra, se s’kemi besim te strukturat që kemi krijuar vetë. Policia ju ka mbrojtur që deputetët e rinjëtë mbërrijnë në parlament shëndoshë e mirë. Demokracia nuk ka asnjë lidhje me atë që po ndodh ditën e sotme”, u shpreh Lleshaj.

Duke u ndalur tek protestat e opozitës, Lleshaj u shpreh se ajo çka u është rezervuar shqiptarëve ditëve të fundit, nuk ka të bëjë aspak me demokracinë. Sipas tij, motivi i vërtetë i protestës së opozitës nuk është pushteti, por frika nga Reforma në Drejtësi.

“Unë besoj fort se gjithë trazirat politike në Shqipëri, me frikën se ky vetting-u po prish llogari të vjetra dhe po krijon frikë tek ato që kanë llogari të hapura në këtë vend. Zjarri, molotovi, ka për qëllim rrëzimin e reformës në drejtësi dhe kështu do të rrëzohet edhe frika prej saj”, tha Lleshaj.