Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, gjatë një interviste televizive në “ABC NEWS” deklaroi se puna e Policisë së Shtetit aktualisht merr notat maksimale dhe kjo është vlerësuar dhe në progres-raportin e Komisionit Evropian. “Krimi i organizuar është goditur dhe është luftuar intensivisht. Raport progresi thotë se lufta ndaj krimit të organizuar ka një progres shumë të mirë. Janë 1887 të arrestuar për krime të rënda në 5 muaj. Bilanci është pozitiv”, u shpreh ministri Lleshaj. Më tej ai u ndal në shifrat konkrete duke theksuar se:” Lufta kundër krimit të organizuar është në një fazë tepër intensive. Në 2019 janë goditur 11 grupe kriminale me 106 anëtarë të dyshuar, të arrestuar nga Policia e Shtetit”.

I pyetur për Vettingun në Policinë e Shtetit, Lleshaj u shpreh se ky është një proces i nevojshëm, ashtu si dhe Reforma në Drejtësi. “Kam besim se policia do të dëshmojë një gjendje tjetër nga ajo që është dëshmuar nga gjyqësori. Por gjithsesi ne jemi të hapur për çfarëdo rezultati, i rëndësishëm është procesi”, tha ai.

Ndërkohë për akuzat e fundit të ish-deputetëve të PD, të cilët u përplasën me drejtues të Policisë në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë mbrëmjen e 16 Shkurtit, ministri u shpreh se: “Akti i 6 ish-deputetëve në Policinë e Tiranës, akt i paprecedentë dhune që ushtrohet nga jo vetëm deputetë, por edhe ish-ministra që kanë paturpësinë të prekin punonjësit e Policisë, të cilët i kanë patur vartës. Policia ka detyrë të mbrojë institucionin” .

Ndërkohë në lidhje me kërcënimet e opozitës jashtëparlamentare se nuk do të lejojnë të zhvillohet procesi zgjedhor i 30 Qershorit, Lleshaj ka paralajmëruar se Policia do të garantojë që mjedisi zgjedhor të jetë i pa kontaminuar nga kriminelët. Sipas tij Policia ka detyrë ligjore të merret me kriminelët, nuk merret me qytetarët.