Mesfushori kosovar nuk i ka arritur pritshmëritë në Anfield Road këtë sezon dhe klubi anglez mund ta shesë atë gjatë verës Liverpooli po mendon ta shesë Xherdan Shaqirin gjatë kësaj vere.

Të paktën kështu shkruan tabloidi britanik “Daily Mail”, sipas të cilit, trajneri Jurgen Klopp është i vendosur të kërkojë opsione tjera për ta freskuar ekipin. Futbollisti kosovar u ishte bashkuar “Reds” nga Stoke City verën e kaluar për një marrëveshje prej afro 15 milionë eurosh, por sipas mediave angleze, ai ka dështuar të impresionojë në Anfield Road, duke i realizuar 6 gola dhe duke dhuruar 5 asistime në 30 ndeshje në të gjitha kompeticionet, shkruan tabloidi britanik.

Por, të jemi realistë, Shaqirit nuk i janë dhënë shumë shanse për të shkëlqyer në Liverpool pasi përpara kishte konkurrentë të fortë me lojtarë si Mohamed Salah, Sadio Mane e Roberto Firmino. Dhe tash “Daily Mail” shkruan se 27 vjeçari mund t’i bëjë valixhet gati dhe të largohet pas përfundimit të sezonit.  Shaqiri ka kontratë edhe katër vjet me Liverpoolin, por palët mund të ndahen pas vetëm një viti bashkëpunimi. Shaqiri posedon talent dhe nuk përjashtohet mundësia që trajneri Kloop t’ia japë rastin edhe një sezon tjetër, për ta parë nëse do të përmirësohet dhe do të japë kontribut më të madh.