Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar pak ditë më parë ndryshimet në Ligjin për Kujdesin Shëndetësor, që është ligji themeltar për funksionimin e sistemit shëndetësor ne vendin tonë. Ndryshimet që vijnë si rrjedhojë e zhvillimeve dhe nevojave të reja brenda sistemit shëndetësor, pritet të kenë një impakt të drejtpërdrejtë në rritjen e cilësisë së shërbimeve që qytetarët shqiptarë marrin në institucionet e shërbimit shëndetësor.

Kjo sepse për herë të parë ligji sjell disa të risi që lidhen me standarde të reja brenda institucioneve të shëndetësisë. E ftuar në studion e ERTV-së, Nënkryetarja e Komisionit të Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, sqaroi këto risi, duke filluar me ngritjen e sistemit unik të informacionit shëndetësor.

Përmes këtij sistemi elektronik, që do të përmbajë të gjitha informacionet, që nga kartelat mjekësore të çdo pacienti, te rekomandimet e shëndetit, do të mundësohet shkëmbimi i informacioneve edhe mes vetë institucioneve publike dhe private të shëndetësisë.

“Sistemi unik i informacionit shëndetësor nuk është një punë që ka nisur sot, por që në vitin 2014. Kartela elektronike e pacientit është një nga gjërat më themeltare që shërben për pacientin dhe mjekun, si dhe për një databaze të sëmundshmërisë së vendit tonë. E reja është pikërisht që tashmë ka ardhur momenti që të dhënat e grumbulluara nga ne, receta elektronike, rekomandimet online së bashku me kontrollin shëndetësor bazë, me fletë daljet e pacientit, do të krijohet një sistem elektoronik i vetëm, unik, me një kod të veçantë për çdo pacient, dhe ky informacion shëndetësor që ka secili pacient do të ndahet edhe me institucionet e tjera, publike dhe jopublike”, tha Spahiu.

Një tjetër koncept i ri në ligj është auditimi klinik. Nga Ministria e Shëndetësisë do krijohet një ekip audituesish klinikë, të huaj dhe vendas të licensuar për këtë punë dhe në momente të caktuara do të bëjnë auditimin klinik në rolin këshillimor për të parë si po zbatohen protokollet e shëndetësisë në qëndrat shëndetësore apo spitale.

Institucionet e shëndetit do t’i nënshtrohen gjithashtu procesit të akreditimit pasi të kenë mundësuar ofrimin e kushteve bazë të akreditimit. Nëse një institucion nuk do i plotësojë kushtet bazë do të ketë edhe sanksione si bllokim i licensimit.

Me ligjin e ri, do të mundësohet ngritja e dy Këshillave, Këshilli Kombëtar i Mjekëve dhe Këshilli i Pacientëve që do jenë pjesëmarrës në hartimin e programeve që do ndërmerren në sistemin shëndetësor në vend. Po ashtu, ky ligj do të vijojë të jetë garancia për sistemin e meritës në rekrutimin e profesionistëve të shëndetësisë, konkretisht përmes portalit “Infermierë për Shqipërinë”, që do të vijojë të jetë mekanizmi më transparent për punësimin e tyre.