Bashkia Shkodër ka dhënë një leje ndërtimi për një pallat 6 katësh, në lagjen “Qemal Stafa”., por firma ndërtuese nuk ka zbatuar distancën e ndërtimit në lidhje me pronat kufitare, përkatësisht me pronën e familjes Pelingu. Pas interesimit të Fiks Fare kjo bashki pezullon punimet duke dalë në konkluzionin se firma ka ndryshuar projektin.

Në Fiks Fare u ankua familja Pelingu ku ngjitur me shtëpinë e tyre tre katëshe po ndërtohet një pallat 6-katesh me leje të miratuar nga Bashkia Shkodër.

Por pallati në fjalë nuk ka respektuar distancën e ndërtimit duke u afruar shtëpisë së tyre vetëm një metër larg dhe duke mos u respektuar distanca atyre ka filluar shtëpia tu prishet. Muret kanë marrë krisje gjithashtu edhe në fasadën e jashtme të shtëpisë ka rënë suvaja.

Familjarët tregojnë se shtëpinë e kanë me të gjitha dokumentet si edhe truallin po ashtu dhe i janë drejtuar bashkisë për mos respektimin e distancës së firmës ndërtuese , por askund nuk kanë gjetur zgjidhje. Distanca e pallatit që po ndërtohet nga shtëpia e familjes Pelingu është aq sa të kaloj një njeri në këmbë, pra edhe më pak se një metër distancë.

Fiks Fare iu drejtua Bashkisë Shkodër me një kërkesë për të kuptuar se si ishte dhënë kjo leje ndërtimi dhe a po e respektonte firma distancën që duhet të ketë më kufitarët. Në përgjigjen e saj drejtuar Fiksit Bashkia Shkodër shprehet se janë respektuar distancat për lejen dhe është largësia që parashikohet në ligj.

Sipas bashkisë distanca minimale e lejuar e ndërtimit nga kufiri i pronës duhet të jetë e barabartë me numrin e kateve mbi tokë plus një metër. E thënë ndryshe distanca e këtij pallati 6- katesh duhet të ishte larg banesës së familjes Pelingu 4.3 metra në katin përdhe dhe 7 deri në 9.2 metra në katin e pestë.

Pas interesimit që Fiks Fare pati në Bashkinë Shkodër për këtë problem, pas disa kohësh familjes Pelingu i mbërrin një tjetër shkresë nga bashkia. Ndryshe nga sa kjo e fundit u shpreh për Fiks Fare , në shkresën e dytë ajo i drejtohet familjes se bashkia ka bërë verifikime dhe objekti 6- katesh ka aplikuar online për ndryshim projekti.

Në këto kushte kjo bashki është shprehur se kjo kërkesë e firmës është në shqyrtim e sipër, por nga ana e saj u pezulluan punimet. U desh ndërhyrja e Fiks Fare që bashkia të bënte verifikime dhe të pezullonte punën e firmës së ndërtimit .