Nga 1 janari i vitit 2019 ka hyrë në fuqi paketa e re fiskale, nga e cila mbi 11 mijë biznese do të përfitojnë ulje në masën e 2/3-ës së taksës së tatim fitimit, nga 15 milionë lekë në 5 milionë lekë në vit.

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot një prej sipërmarrësve që përfiton nga kjo ulje e konsiderueshme e taksës, i cili tha se kjo lehtësi do t’i shërbejë atij për të zgjeruar aktivitetin dhe për të rritur fitimin e kompanisë në të ardhmen.

Kryeministri deklaroi se, veç të tjerash, kjo lehtësi fiskale për biznesin do të përkthehet edhe me më shumë vende të reja pune, si dhe me rritje të pagave të të punësuarve në sektorin privat.

“Në fakt, kjo është zona më delikate e punësimit. Të gjithë bizneset, nga 8 milionë në 14 milionë xhiro vjetore, që, deri dje e kishin 15% taksën e fitimit, e kanë 3-fish më të ulët nga sot, por kanë kapacitete punësimi dhe vetëpunësimi shumë të mëdha. Ajo që është më e rëndësishmja, në këndvështrimin tonë, është që, duke ju lehtësuar 3-fish, ju japim mundësi, e para, që të zhvilloheni me investime të reja dhe besoj, menjëherë, ju do mendoni për një investim të ri për t’u zgjeruar, për t’u konsoliduar dhe e dyta, për të rritur punësimin dhe për të rritur pagat,” – deklaroi Kryeministri Rama.

Ne kemi nevojë, vijoi kreu i Qeverisë, “të ulim numrin e atyre që shkojnë në universitet dhe të rrisim numrin e atyre që shkojnë në arsim profesional dhe në kolegje profesionale 2 -vjeçare, që të bëhen specialistë”.

Ndërsa drejtuesi i kompanisë së përpunimit të mermerit në Tiranë garantoi se me uljen e taksave do të rrisë investimet dhe vendet e punës.

“Tani, sinqerisht ne po ndihemi mirë, se na u ul taksa e tatim fitimit. Unë bëja 100 milionë lekë xhiro në vit dhe paguaja 15 milionë lekë. Tani ne paguajmë 5 milionë lekë. Unë do të investoj më shumë tani. Do të marr më shumë punëtorë. Shumë faleminderit, sinqerisht!” – u shpreh ai.

Ministri në detyrë i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj shpjegoi se nga kjo paketë e re përfitojnë një sërë kategori sipërmarrësish, por edhe mijëra qytetarë, të cilëve nga 1 janari iu ulet tatimi mbi të ardhurat personale.

“Në 1 janar ka filluar një paketë shumë e rëndësishme uljeje taksash, që fillon që nga biznesi i vogël me xhiro nën 14 milionë të reja, zbritet taksa në 1/3-ën. Kemi vazhduar me agrobiznesin, me të gjithë biznesin bujqësor, në kuadrin e shtytjes, mbështetjes së biznesit bujqësor, me qytetarët, klasën e mesme, me uljen e tatimit mbi të ardhurat personale”, – tha ai.

Paketa, sipas Ahmetaj, vazhdon me mbështetje për bujqësinë, me zerimin e TVSH-së për inputet bujqësore dhe me normë të reduktuar për një sërë aktivitetesh të TVSH-së.

“Është viti me rritjen më të madhe ekonomike për Shqipërinë krahasuar në rajon,” u shpreh Ministri Ahmetaj, duke shtuar se, “sot janë 91% e sipërmarrjeve shqiptare që paguajnë 0, ose 5% tatim fitimi dhe 98% e të punësuarve që paguajnë 5.5% taksë pune”.

Lër një koment

Please enter your comment!
Please enter your name here