Lidhja Demokratike e Kosovës gjendjen e tanishme në Kosovë po e sheh si situatën më të vështirë për vendin. Kjo parti pohon se është gati për zgjedhje, madje aktualisht edhe votat e Listës Serbe do të pranohen për ta rrëzuar Qeverinë. Në një intervistë për Ekonomia Online, sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ismet Beqiri, tha se si zgjidhje për Kosovën janë dy alternativa. E para sipas tij, është të shkohet në zgjedhje të reja, ndërsa alternativë të dytë ristrukturimi i Qeverisë ku do të marrin pjesë të gjitha subjektet politike.

Deklarimet se LDK-ja po bisedon për të qenë pjesë e ekzekutivit, Beqiri i quan manipulime. “Ne jemi të gatshëm me u ul me biseduar me të gjithë, por me qenë pjesë e asaj marrëveshje të gjithë, asnjë subjekt politik mos me qenë jashtë sepse ka manipulime që po bisedohet me LDK-në me u bë pjesë e qeverisë sa për të heqë kushtimisht sipas disave Haradinajn për të ardhur dikush i LDK-së në krye, kjo nuk është e vërtetë. Zyrtarisht ne asnjë kërkesë të tillë nuk e kem dhe as nuk e pranojmë”, tha Beqiri.

Beqiri tha se LDK-ja është e gatshme për rrëzim të qeverisë sapo të i ketë në dispozicion votat për ta bërë këtë gjë, por ai tha se PSD-ja edhe pse po thotë vazhdimisht që i ka nënshkrimet por janë dyshues sipas tij. “Ne e kemi interesimin dhe iniciativën për rrëzim të qeverisë për mocion ndaj qeverisë, mocion mosbesimi, por mbi të gjitha ka mungesë votash ne jemi të vetëdijshëm kemi pas diku 58 vota si opozitë, por kanë ndryshuar gjërat fatkeqësisht, PSD-ja tani thonë që i kanë të gatshëm nënshkrimet edhe ne i kemi, neve na duhet dikush nga koalicioni qeverisës nëse i sigurojmë votat pse jo duhet me përdor këtë mocion me rrëzu këtë qeveri, e rrugës do ishte këta vetë me shku, por vetëm nëse i prishin raportet për interesa se nuk e besoj se ndodh”, tha ai. Ai shton se edhe votat e Listës Serbe do të pranohen, sipas tij, nëse bëhet Qeveria me votat serbe, pse edhe të mos rrëzohet.

“Mocionin eventual që do ta paraqitnim ne, kushdo që na bashkëngjitet nuk kemi me shiku i cilës parti është sepse ke bërë një koalicion qeverisës me vota edhe të shqiptarëve edhe të komuniteteve tjera nuk mundesh me thënë se ju tjerët nuk mundeni me vota të tjerëve me rrëzuar këtë qeveri, por nëse ne nuk bën atëherë pse pe mbani ju me vota të tjetër kujt, në këtë rast të komunitetit serb dhe tjerave, prandaj këto hipokrizi nuk mund të kalojnë tek qytetarët”, tha ai.

Beqiri ekipin negociator e sheh si të parëndësishëm, duke shtuar se LDK-ja është në përkrahje të dialogut, por e konsideron si të ngutshëm. Ndërsa duke folur për taksën ndaj produkteve të Serbisë, Beqiri ka thënë se LDK-ja asnjëherë nuk ka qenë kundër taksës, por kundër vendimeve për të cilat nuk është marrë pëlqimi i ShBA-së dhe BE-së.