Nëse ishin përpjekur të zbulonit kuptimin e emrit të djalit të Saimir Tahiri, drejtori i ALUIZNI-t, Artan Lame, na e sqaroi në mënyrë më të mirë të mundshme.

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, e dha lajmin e gëzuar se u bë baba për herë të dytë, përmes një fotoje ku na prezantonte me të sapolindurin. Vogëlushi pozon i shtrirë sipër të atit, ndërsa Tahiri zbulon se e kanë pagëzuar me emrin Goliku, që Lame tregon se kjo fjalë i ka rrënjët shumë të lashta.

“Goliku është një mal që ngrihet atje përmbi Vjosë tash miliona vjet. Mes gjërave të mia të historisë, e kam ndeshur shpesh emrin e tij të gdhendur në argjend e bronz nëpër medaljet italiane të Luftës së Fundit (asaj prej vërteti më ‘40-n, se luftëra me njëri-tjetrin bëjmë përditë ne shqipot). Do ketë kënduar dyfeku vënçe nëpër shpatet e Golikut, qëkur i ka bërë italianët ta përmendin kaq shpesh nëpër kujtesën e tyre të metaltë. S’ka tri ditë të mos jemi më!”, shkruan Lame në një status në Facebook.

Ky i fundit u përcoll nga Saimir Tahiri me duartrokitje, ndërsa shkroi në rrjetet sociale: “Më mirë se Artan Lame nuk e shpjegon dot”.