Nga Ilir Yzeiri/ Nuk e mbaj mend dhe nuk e di se në ç’kontekst e përdornim këtë shprehje kur ishim fëmijë, por, në mënyrë të vagullt, kur thoshim « lakuriq me duar në xhepa » kishim parasysh atë që krekosej në mëhallë pa pasur asgjë që ta bënte kaposh apo të ngrefosur. Tipi që kapardisej me duar në xhepa, në përfytyrimin e fëmijërisë sonë ishte ai që kapardisej pa pasur asnjë cilësi apo asnjë truk që të dukej i tillë, sepse, nga të gjitha anët, ishte cullak, nga mendtë dhe nga rrobat.

Pikërisht kjo shprehje m’u kujtua kur pashë Lulëzim Bashën që po dilte nga zyrat e SHQUP-it në krah të zyrtarit të lartë amerikan, zotit Palemr. Lulëzim Basha u shfaq me duar në xhepa, vijoi të zbresë shkallët e godinës së SHQUP-it po me duar në xhepa (megjithëse kjo mund të jetë e rrezikshme se mund të pengohesh pa dashje dhe kur je me duar në xhepa mund të biseh drejt e në fytyrë) dhe vetëm kur po ndahej dhe po takohej me zyrtarin e lartë dhe të nderuar të SHBA-së, zotin Palmer, hoqi duart nga xhepat.

Në anë tjetër, besoj të gjithë kanë mbetur të mrekulluar, në kuptimin të pataksur, të çuditur, kur kanë parë veshjen e Monika Kryemadhit në takimin me zyrtarin e lartë të SHBA-së, zotin Palmer. Një kustum gri me pantallona tepër të gjera, po tepër e tepër të gjera si për t’i theksuar zyrtarit amerikan në atë takim se në Shqipëri moda e fundit nuk kalon pa lënë gjurmë.

Këto dy episode më tërhoqën vëmendjen sepse, edhe në këtë rast, dy përfaqësuesit e opozitës që kanë bërë lëmsh politikën shqiptare, u shfaqën në nivelin më të ulët dhe të pështirë komunikativ. Pse ? Në çdo ngjarje apo në çdo takim të nivelit të lartë ka një protokoll dhe ka edhe një traditë. Pamja prej fodulli e Lulëzim Bashës që e shoqëron zyrtarin e lartë amerikan me duart në xhepa është jo vetëm fyerje për mikun, për atë që të ka ardhur në zyrë, por nuk respekton as kodin minimal të sjelljes.

Ose je budalla, ose je i hutuar aq shumë nga ajo që të ka thënë bashkëfolësi sa tensioni të ka krijuar një stres të tillë që që duart nuk di ku t’i çosh. Duart bëjnë pjesë në metaligjërim dhe ecja, dukja, shfaqja, parakalimi bashkë me një mik që po të viziton të detyrojnë që të respektosh një protokoll rigoroz, gjëja e porë e të cilit është jo duart në xhepa. Mirëpo, Lulëzim Basha jo vetëm që nuk e vrau mendjen për këtë detaj, por jam i sigurtë që as edhe e kupton.

Ndërsa të paraqitesh në një takim zyrtar politik me pantallonat e Monikës është jo vetëm e pështirë dhe fyerje për ne shqiptarët, por është edhe shenjë se të gjitha akuzat që i bëhen kësaj politikaneje si një arrogante e majmur me të padrejtë janë të vërteta. Këta kapadainj që mendojnë se duke ulëritur nëpër foltore televizionesh mund të quhen politikanë, harrojnë se në fillim duhet të shfaqin qoftë edhe në mënyrë të pasinqertë përunjësinë, të dalin kokulur dhe të paraqiten sa më thjeshtë. Të gjithë e dimë se Monika dhe Luli janë të pasur, por nuk është nevoja t’u tregosh amerikanëve dhe shqiptarëve se këta të dy vetëm pse shajnë nga mëngjesi në darkë Edi Ramën janë edhe kapadainj, edhe kokëbosh edhe lakuriq me duar në xhepa.

Ndërsa mesazhi që u dha zoti Palmer nuk ka nevojë për koment. Jam i bindur se kur ka parë Lulin me duar në xhepa dhe pantallonat e Monikës, mund të jetë penduar pse humbi kohë me ata të dy.(TemA)