Nga Ilir Mborja

“Ju vraftë Zoti e ju zëntë buka e kalamajve! Ju njerëz të marrë që do të votoni më 30 qershor u qorrofshi!” – ishte mallkimi që na erdhi nga politikani pensionist, Neritan Ceka… Me një zhargon jevgjish të dëshpëruar, “sojlliu” i Elbasanit mallkoi(?!) të gjithë ata që kanë në mendje të shkojmë të votojmë më 30 qershor.

Arkeologu, që prej kohësh kur Sali Berisha u shfaq ndër shqiptarë duke bërë allishverishe me Ramiz Alinë për punë të pluralizmit, la kërkimet e nëndheshme për të nxjerrë vlerat muzeale e na është paraqitur si politikan që nuk e pati për gajle që, për 28 vjet, me zigzage të pështira, të shpërdorojë famën (e dyshimtë) që trashëgoi si intelektual nga sistemi i shkuar… Këtë radhë Neritan Ceka ngriti kokën drejt qiellit dhe i bëri duan’ (lutjen) e tij Zotit që shumica e bashkëkombësve të tij: “që do të shkojnë të votojnë më 30 qershor të qorrohen e t’u mbetet në grykë buka e dy kalamajve të tij!”.

Fortlumturia e Tij, Kryeimami i Shkupit, që njërit prej këtyre dy djemve të Neritanit që përmend ai në duan’ e tij i ka dhënë vajzën, patjetër që nuk është ndjerë mirë. Është fjala për atë djalin që Edi Rama i shkuli dikur veshin në Vjenë dhe këtu duhet kërkuar shkaku edhe i lajthitjes së fundit të inatçorit Neritan Ceka…

Neritani, duke harruar fjalën e urtë elbasanase: “Po të dëgjohen duat’ e qenit, bien kocka prej qiellit.”, na kujtoi të gjithëve ne që e patëm harruar 78 vjeçarin e rrjedhur, dikur shërbëtor i zellshëm i Ramiz Alisë, se ka mbetur ende një kone e Sali Berishës dhe e Ilir Metës. Neritani duket se nuk e lexoi kurrë xhaxhain e tij fisnik Salim Cekën që u dergj për vite i prangosur në Kalanë e Gjirokastrës vetëm sepse përktheu Schopenhaur-in.

Neritan Ceka pra, merret vesh se as i ka hedhur një sy librit “Ndriçime të Schopenhauer-it” që ia solli në shqip qysh më 1944-n i ungji i tij dinjitoz, prandaj nuk ka si shpjegohet që harroi se: “Ç’ASHT PERSONALITETI OSE NJERIU” dhe se “Fama dhe nderi janë binjakë. Fama është vëllai i pavdekshëm i nderit jetëshkurtër…  Fama është një gjë që duhet të fitohet, ndërsa nderi, veçse një gjë që nuk duhet ta humbim”. Salim Cekën, vëllain e babait të tij, arkeologut Hasan Ceka, Neritani me të atin, edhe kur ishin pranë Enverit e lanë të dergjej në burg…

Edhe pas ‘90-s, Salim Cekën e ndjerë, përkthyesin e parë të letërsisë filozofike në shqip, në vitet kur ishe i pushtetshëm “sojlliu” Neritan Ceka dhe miqtë e tij zagarë, kurrë nuk u interesua që një rrugicë e Elbasanit të mbante emrin e tij?! Edhe dje, edhe sot, e la në heshtje dhe në hije harrese. Por më mirë kështu. Atij do t’i lëviznin eshtrat në varr, po të shihte nipin në rolin e një koneje të Berishës e Metës tek i bën dua qiellit t’i lëshojë një kockë… Zoti të faltë o Neritan!