Krerët e opozitës jo parlamentare, me përjashtim të Monika Kryemadhi, duhet të dorëzojnë pasaportat diplomatike, për ndryshe do të ndalohet në pikat kufitare nga policia. Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, kreu i PR Fatmir Mediu, kreu i PDK Nard Ndoka, kreu i LZHK Dashamir Shehi, kreu i PAA Agron Duka dhe kreu i PBDNJ Vangjel Dule nuk kanë të drejtë më të pajisen me pasaporta diplomatike. Kështu parashikon vendimi i qeverisë nr. 389, datë 12. 6. 2019 për kriteret për lëshimin e pasaportës diplomatike dhe asaj të shërbimit, i cili është botuar në Fletoren Zyrtare në 14 qershor, duke hyrë në fuqi. Vendimi ndryshon kategoritë personave që kanë të drejtë të pajisen dhe të mbajnë pasaportë diplomatike.

Shqiptarja.com ka identifikuar të gjitha kategoritë e funksionarëve, politikanëve dhe familjarëve të tyre, të cilëve u hiqet e drejta për t’u pajisur me pasaportë diplomatike, e drejtë e cila ishte parashikuar në vendimin Nr. 335, datë 2.9.1997, i ndryshuar 18 herë deri në vitin 2009.