Nga Isa Myzyraj

Ditën që Ilir Meta u zgjodh si President, unë shkruajta “#Kynukështëpresidentiim”, bashkë me mua, mijëra hashtage të tilla u shpërndanë në rrjete sociale, për mënyrën se si u zgjodh dhe për atë që përfaqësonte Ilir Meta si politikan.

Në një deklaratë të paprecedentë, në kufijtë e çmendurisë, Ilir Meta gjatë konsumimit të 3 shisheve me ujë, nuk la fjalë pa thënë, e gjë pa nxjerrë nga goja jo vetëm për Partinë Socialiste por edhe për ndërkombëtarët.

Nuk ka ndodhur kurrë më parë, që një President që përfaqëson vetëm unitetin e popullit, të zgjidhë gjuhën në mënyrën më të papranueshme, dhe lëmshin që ka bërë bashkëshortja e tij, Lulzim Basha, e Edi Rama t’ia faturojë ndërkombëtarëve të cilët i akuzoi me një akuzë të pashembullt, atë të komplotit ndërkombëtarë kundër shqiptarëve.

Nëse amerikanët kishin planifikuar një komplot, plani i tyre 100% do të realizohej tanimë, dhe nuk do e pritnin “shpëtimtarin” e atdheut i veshur si President, mbi palët, por që është palë e zhytur thellë, të shpëtonte Shqipërinë. Amerikanët, qoftë nga ana e infrastrukturës, qoftë nga ana e taktikës, dhe e diplomacisë, do ta realizonin me përpikmëri planin e tyre, siç Meta e quan “komplot” sapo ata ta kishin nisur.

Për të parë sa mirë dhe me përpikmëri matematikore i realizojnë planet SHBA, më vjen në mend, komploti që bënë në Iran, SHBA-të, në vitin 1979. Në vitin e largët 79, iranianët rrëzuan regjimin e Shahut, dhe në pushtet erdhi Imam Ruhollah Kohmenei, ndërsa 52 punonjës të ambasadës u morën peng nga iranianët, dhe 5 prej tyre u strehuan në shtëpinë e ambasadorit të Kanadasë në Teheran.

Amerikanët aso kohe planifikuan dhe vunë në funksion operacionin “Argo”, ku me një dinakëri magjepsëse, dhe një plan të shkëlqyer një agjent i CIA-s hyri mes Teheranit, dhe falsifikoi çdo dokument, për t’i nxjerrë 5 amerikanë nga Teherani, i cili kontrollohej në çdo cep të tij nga Roja Revolucionare e Iranit, dhe nje gabim me i vogël, do të çonte neë vdekjen e 6 amerikanëve, dhe një lufte të ashpër më tej. Plani nuk dështoi, ashtu siç nuk ka dështuar në shumicën dërrmuese ndonjëherë Amerika.

Por ja që Presidenti ynë Ilir Meta, duket se e paska kapur planin e “armikut”, dhe e dekonspiroi atë. Nuk mund të jetë President i shqiptarëve një person që problemin e vetë, dhe të ish-bashkëpunëtorëve, e bashkëpunëtorëve të tij, ia faturon ndërkombëtarëve. Deklarata e sotme e Ilir Metës, do të mbahet mend gjatë, si një ndër deklaratat më të shëmtuara të një zyrtari të lartë, që fatkeqësisht në Shqipëri është kreu i shtetit./ Dritare.net