Kylian Mbappe e shënoi të martën golin e 100-të në karrierën e tij si futbollist profesionist, edhe pse është ende 20-vjeçar. Këtë shifër, Lionel Messi e Cristiano Ronaldo e arritën kur ishin 22-vjeçarë. Pasi debutoi për Monacon në sezonin 2015/16, Kylian Mbappe e ka tronditur botën e futbollit me paraqitjet e tij, si në garat evropiane, ashtu edhe në Kampionatin Botëror me Francën, transmeton Gazeta Express.

Mbappe i shënoi 26 gola për Monacon në sezonin 2016/16, duke u ndihmuar atyre ta fitojnë titullin e Ligue 1 dhe të arrijnë deri në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Vlera e tij po rritej në mënyrë drastike dhe klubet më të mëdha botërore ishin të interesuara për të. Megjithatë, në fund, garën për nënshkrimin e tij e fitoi Paris Saint-Germaini, për 180 milionë euro që e bëjnë atë lojtarin e dytë më të shtrenjtë në botë.

Megjithatë, ky investim ka rezultuar të ketë qenë i duhur. Mbappe i ka shënuar 60 gola në 87 ndeshje për PSG-në dhe ka bërë që bota ta vlerësojë atë si ndër lojtarët më të mirë në botë. Përveç që është ylli i PSG-së, Mbappe është edhe ylli i Francës. Ai ishte titullar në ndeshjen e së martës kundër Andorrës, ku vetëm pas 11 minutave lojë ai e zhbllokoi rezultatin e ndeshjes.

Me këtë gol ai jo vetëm që i ndihmoi Francës ta rimarrë kreun e ligës, por edhe e arriti shifrën prej 100 golave në karrierë. Ai i ka shënuar 13 gola për Francën, 37 për Monacon dhe 60 për PSG-në. Për ta kuptuar se sa mbresëlënës është kjo arritje, GiveMeSport e ka krahasuar atë me rekordet e Ronaldos dhe Messit, të cilët i arritën 100 gola kur ishin 22-vjeçarë.