Me fillimin e verës banorët e Binalonan, një qyteti të vogël në Filipine, mblidheshin nën pemë dhe bënin thashetheme rreth fqinjëve e tregonin histori tradhtish, skandale divorcesh etj. Duket se kjo gjë nuk do të jetë më e mundur pasi bashkia e këtij qyteti ka ndaluar me ligj thashethemet apo siç quhen në Filipine “chismis”.Kjo masë u ndërmor pasi ishin të shumta rastet kur thashethemet i tejkalonin kufijtë duke përfshirë shumë njerëz e duke nxitur kështu konflikte mes tyre.

“Ka shumë lloje thashethemesh, por shumica prej tyre lidhen me pronat, paratë dhe marrëdhëniet. Ky ligj është për të ndërgjegjësuar njerëzit se çdo gjë që themi është përgjegjësia jonë si individë. Duam të tregojmë që qyteti i Binalonan ka njerëz të mirë dhe është një vend i sigurt për të jetuar”, -është shprehur kryetari i bashkisë, Ramon Guico.

Ata që kapen duke bërë thashetheme do të ndëshkohen me një gjobë që fillon nga 200 pesos (3 paundë) e deri në 15 paundë dhe 3 deri në 8 orë punë në shërbim të komunitetit.