Kuvendi i Shqipërisë ka hapur dyert për studentë ekselentë për të zhvilluar praktikën tremujore. “Edhe pak ditë nga skadimi i afatit të aplikimit për studentët që të aplikojnë për praktikë tre mujore me mundësi zgjatjeje në Kuvendin e Shqipërisë”, shprehet nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi. Nënkryetarja e Kuvendit Hysi shprehet se “Instituti Demokratik Amerikan (NDI Albania) në kuadër të Programit Parlamentar dhe Edukimi Qytetar (PACEP) – një program i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), në bashkëpunim me Kuvendin e Shqipërisë fton të diplomuarit dhe studentët që të aplikojnë për një praktikë tre mujore me mundësi zgjatjeje në Kuvendin e Shqipërisë”.

“Studentët do të angazhohen në shërbime të ndryshme të Administratës së Kuvendit, që ofrojnë mbështetje për deputetët ose do të asistojnë drejtpërdrejtë deputetët/deputetet në ushtrimin e funksioneve të tyre përfaqësuese, legjislative dhe mbikëqyrëse. Shërbimet e propozuara përfshijnë, por nuk kufizohen në të mëposhtmet: Shërbimi i Kërkimit Parlamentar dhe Bibliotekës, Sektori i Pritjes së Popullit,Trajtimit të Letrave dhe Peticioneve dhe Shërbimi i Botimeve Parlamentare”, shprehet ajo.

Po ashtu Hysi sqaron se “ky program është i hapur për studentët e viti të tretë bachelor, të diplomuarit dhe studentët e nivelit master në fushat e shkencave politike, shkencave sociale, ekonomisë dhe financave, drejtësisë, shkencave të komunikimit ose në fusha të tjera të ngjashme. Pozicioni parashikon angazhimin me kohë të pjesshme, orari i angazhimit do të dakordësohet me kandidatin e përzgjedhur. Programi i praktikës do të zgjasë për një periudhe tre mujore dhe të gjithë të përzgjedhurit do të respektojnë rregullat e Shërbimeve dhe kodin e punës së Kuvendit”.

“Praktikantët do të ndihmojnë Shërbimet e Kuvendit në projektet dhe aktivitetet në vazhdim. Ky program është një mundësi e mirë për studentët, që të mësojnë funksionimin e parlamentit, punën e shërbimeve specifike në parlament, punën e komisioneve, rolin e deputetëve dhe mbështetjen, që ata marrin nga shërbimet në Kuvend”, shprehet nënkryetarja e Kuvendit.