Rëndomë dëgjojmë presidentët e klubeve se Shqipëria nuk ka trajnerë të zotë. Ndoshta kanë të drejtë, ndoshta formimi i trajnerëve të huaj është më i lartë, pavarësisht se në vendin tonë e kanë të vështirë të fitojnë dhe të përshtaten me dallaveret e kampionatit. Lojës mbi dhe poshtë tavolinave. Ky sezon i Superiores momentalisht ka risi të bukura, pasi kemi prodhim 100% vendas, nga ekipi i parë e deri te skuadra e fundit të gjithë trajnerët janë shqiptarë.

Partizani po del kampion pas 26 vitesh me Skënder Gegën. Numri një i stolit e mori ekipin para Europës dhe po i merr maksimumin një ekipi që mendohej shumë larg titullit. Ish-trajneri i Shqipërisë U-21 i ka bërë të gjithë të ëndërrojnë duke u kthyer në një psikolog për skuadrën e tij. Çdo ekip ka pakënaqësi, ashtu dhe te Partizani ka lojtarë të pakënaqur, por në fund Gega duhet vlerësuar, pasi ka bërë një pune shumë të mirë.

Ilir Daja mbetet një nga më të mirët. La Skënderbeun si kampion dhe merr përsipër rikthimin e Flamurtarit. Tradhtohet në mes të rrugës, por nuk dorëzohet dhe tregon se sa vlen. Me një ekip që ka 4 muaj pa u paguar vetëm ai e di se si po i motivon. Bregdetarët ndodhen në vendin e tretë dhe luftojnë për vendin e dytë me Kukësin.

Bledar Devolli është një trajner shpërthyes. Emotiv, kokëulur dhe punëtor! E mori Kastrotin të rrëzuar nga Superiorja, krutanët i mendonin si të rënë, por numri një i stolit ka bërë mrekulli. Ai po merr pikë ndeshje pas ndeshje dhe tashmë po lufton fort me Tiranën dhe Luftëtarin. Ekipi ndodhet vetëm 5 pikë larg bardhebluve.

Kush e kishte menduar se Luftëtari në fund të sezonit do të ishte në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë dhe do të parakalonte Tiranën? Askush përveç Julian Ahmatajt. Numri një i stolit mori ekipin, pasi Gentian Mezani deklaroi se nuk kishte asnjë shpresë dhe ia doli mjaft mirë. Produkt vendas, cilësi në drejtim.

Bledi Shkëmbi dhe Orges Shehi janë dy emrat e tjerë që kanë bërë mirë. Ish-portieri i Skënderebut po mban me dhëmbë një ekip të lëkundur, ndërsa korçari mbetet brenda ojektivave dhe i bëri të gjithë të ëndërrojnë te Teuta.