Nga Bledi Lumani

“Sot ishte radha e Lubonjës, nesër e jona!” Kështu shkruante një nga këta analistët që kanë muaj që flasin për përmbysje të qeverisë me dhunë e me të vrarë, pasi një person me probleme mendore, i theu xhamin e makinës Fatos Lubonjës (ca media shkruajnë se ishte makina e të vëllait, ndërsa vetë Lubonja thotë se i ka thyer edhe vazot e luleve të mamasë). Rasti në fjalë është banal dhe jo për konsum debati mediatik e politik, por për spital psikiatrik.

Por, duke qenë se rastin e një të sëmuri mendor, që mund të kishte sulmuar këdo, veçse në këtë rast, rastisi që e kishte kapur prej kohësh me fqinjin e tij, personazh publik, siç edhe pohon vetë Lubonja, duan ta kthejnë në debati mediatik dhe politik, me argumentin se sulmi ndaj Lubonjës është frymëzuar nga Edi Rama, mirë është të thuhen gjërat ashtu siç janë. Është e vërtetë që Rama nuk është shumë miqësor ndaj mediave dhe analistëve (me pronarët “çuditërisht” shkon shumë mirë), por ai nuk është treguar kurrë i dhunshëm dhe hakmarrës ndaj askujt prej tyre.

I tall dhe përçmon me qëllim, pasi i duhen kundërshtarë, duke e ditur se shumë prej tyre, në publik janë figura më të konsumuara dhe të papëlqyeshme, edhe se vetë politikanët. I quan “kazan” e shpesh dhe i denigron personalisht, çka mund të konsiderohet edhe si nxitje për dhunë ndaj tyre, por kurrë nuk iu ka djeguar makinat, ju ka hequr njerëzit e familjes dhe fisit nga puna, apo ka nxitur e stimuluar njerëz, që të rrahin gazetarë kritikë të tij, siç ndodhte me paraardhësin e tij.

E kundërta ka ndodhur. Nuk ka emision politik apo faqe portali, që të mos bëjë thirrje çdo ditë për rrëzim e Ramës me dhunë, për fundin tragjik të tij, për marrjen zvarre, për vrasje, për gjak, e marrëzira të tilla, që në çdo vend normal, do të çonin në ndjekje penale për gazetarët dhe mediat që bëjnë thirrje dhe nxisin dhunë, apo rrëzimin e rendit demokratik me forcë.

Ironia është se këta që kërkojnë revolucion e mosbindje civile, tani ankohen për një gur xhamit të makinës nga një i marrë, dhe janë gati ta kthejnë Fatos Lubonjën martir të demokracisë dhe të fjalës së lirë, a thua e çoi Rama sërish për ta syrgjynosur në Spaç. Në fakt, nëse nuk do të kishim të bënim me një të sëmurë mendor, por me një njeri normal, mund të thuhej se Lubonja ra viktimë e vetë thirrjeve të tij, për dhunë.

Sepse kur bëhet thirrje për dhunë e mosbindje civile dhe rrëzimin e kësaj kaste politiko-mediatiko-financiare, mosbindja, nëse do të realizohej, rrezikon t’i marrë të gjithë përpara, duke përfshirë edhe këta që bëjnë thirrje të tilla, si puna e Lubonjës, pasi kanë vite që në një “çanake” hanë të gjithë. Se siç thuhet edhe në Bibël, kush predikon shpatën, prej shpatës do të vdesë!

Fatmirësisht, deri më tani thirrjet e Lubonja&Co për dhunë, nuk janë marrë seriozisht. Ndryshe, ai guri në xhamin e makinës, për të cilin është ngritur gjithë opozita në këmbë, do të ishte lule në krahësim me atë që mund të ndodhte!