Stevo Pendarovski është presidenti i ri i Maqedonisë së Veriut, sipas rezultateve të para zyrtare nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) në Maqedoni me një mazhorancë prej 51,67% të votave.

Kjo nuk është hera e parë që ai kandidon për president, në vitit 2014, u radhit i dyti në listë dhe në në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit të vitit 2016 ishte bartës i listës së LSDM-së dhe koalicionit në njësinë zgjedhore numër një, nga ku edhe fitoi mandatin e tij si deputet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, bën me dije Telegrafi Maqedoni.

Më 7 dhjetor të vitit 2017, Pendarovski dha dorëheqjen nga funksioni i deputetit pasi u emërua në funksionin aktual të tij si koordinator kombëtar për përgatitjen e Maqedonisë për anëtarësim në NATO.

Stevo Pendarovski është lindur më 3 prill të vitit 1963 në Shkup. Ai është politikan, profesor, analist si edhe docent për sigurinë ndërkombëtare, politikën e jashtme dhe globalizim, në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin Amerikan Kolexh-Shkup.

Pendarovski gjatë raundit të parë kishtë si kundërshtarë në zgjedhjet presidenciale Blerim Rekën nga Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët si dhe Gordana Siljanovskën, e cila ishte kandidate e OBRM-PDUKM-së.