Pas kritikave të kryeministrit Edi Rama dhe pas furtunës në Tatime, ka nisur sërish aksioni kundër informalitetit.

Qeveria është e vendosur në planin kundër informalitetit dhe është kreu i qeverisë ka publikuar pamjet e bllokimit të një hoteli, ndërsa thekson se humbja do jetë e rëndë për ata që shkelin ligjin. Edhe pse kryeministri nuk jep detaje, sipas Report Tv hoteli është i ish-deputetit dhe kryetar i PD-së në degën e Elbasanit, Aurel Bylykbashi. Hoteli i bllokuar ndodhet në Llixha të Elbasanit, ndërsa është bllokuar për evazion.

“A i’a vlen humbja që sjell bllokimi ligjor për përfitimet nga shkelja e ligjit?! Kushdo që shkel ende ligjin le t’i bjerë lapsit. Numërimi mbrapsht ka nisur dhe humbja do të jetë e rëndë për çdo shkelës”, shkruan kryeministri.

Edhe ministrja e Financave, Anila Denaj, bëri të ditur se administrata Tatimore ka zbritur në terren.

“Nis zbatimin Plani Operacional kundër informalitetit, ku prioritet do të jetë kuponi tatimor, puna në të zezë dhe lëshimi i faturave.

Administrata Tatimore është në terren për kryerjen e monitorimeve në bazë të analizës së riskut, por asnjë subjekt që është në të drejtën e tij nuk ka arsye për t’u shqetësuar. “Plani operacional po ndërmerret në kuadër të luftës kundër informalitet dhe, sikurse dhe Kryeministri i vendit u shpreh, kosto për bizneset që nuk zbatojnë ligjin do të rezultojë shumë më e kushtueshme në krahasim me detyrimet që lindin nga zbatimi i tij”, bëri të ditur ministrja Denaj.