Edi Reja dhe Elesit Hysaj janë shfaqur para gazetarëve para ndeshjes së Shqipërisë me Moldavinë. Si trajneri, ashtu edhe mbrojtësi – u pyetën edhe për shiritin e kapitenit, që sipas Rejës “tashmë çdo gjë është e mbyllur”. Fillimisht, Hysaj tha se vendimi për shiritin i takon trajnerit: “Është zgjedhja e trajnerit. Unë jam i kënaqur të jem kapiten, por nuk është gjë e rëndësishme apo të krijoj polemika. Është ëndërr për mua të jem kapiten”.

Edhe Reja e ka të qartë tashmë, gjithmonë nëse nuk starton Mërgim Mavraj. “Mavraj? Nuk e di a do jetë nga fillimi. Në fillim do ua them atyre formacionin, pastaj shtypi, sepse kështu e kam zakon, nuk është mungesë vlerësimi për mediat”, u shpreh ai. “Kapiteni? Nuk ekziston si problem. Është Mavraj kapiteni, në mungesë të tij është Hysaj, kjo është zgjedhja përfundimtare për mua dhe është vendosur prej kohësh”.

Ndeshja mes Shqipërisë dhe Moldavisë do të zhvillohet të martën në Elbasan Arena nga ora 20:45.