Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha këtë javë se kërkon persona të fortë dhe konkurrues që të drejtojnë institucionet europiane në 5 vitet e ardhshme, pavarësisht kombësisë së tyre. Megjithatë, Macron i qëndroi mendimit të tij se këto persona duhet të zgjidhen nga liderët e Bashkimit Europian dhe jo parlamenti.

“Kudo në Europë, do të ishte mirë që të zgjidhen disa ligjvënës, e më pas të kemi parti të mëdha europiane që do të mbështesin një kandidat, që do të kishte legjitimitet demokratik. Nuk ndihem i përkushtuar ndaj procesit Spitzenkandidat, që disa parti kanë vendosur për veten e tyre”, është shprehur Macron.

Ndërkohë që zgjedhjet parlamentare në Europë po afrohen, liderët e Bashkimit Europian kanë nisur të zgjedhin në fshehtësi se kush kandidat dhe me çfarë kombësie, do të jetë ai që do drejtojë institucionet, përfshirë ekzekutivin, Komisionin Europian. Macron tha në një konferencë se nuk do të kufizohet nga sistemi “Spitzenkandidaten”, ku partitë në parlamentin e Bashkimit Europian zgjedhin kreun e Komisionit dhe jo liderët e shteteve.

Ai përsëriti gjithashtu propozimin për një sistem alternativ të një liste tranzitore, ku qytetarët e Bashkimit Europian do të duhet të zgjedhin një numër politikanësh nga listat mbarë europiane. Macron i bëri thirrje europianëve të rinj që të votojnë në zgjedhjet parlamentare, duke thënë se kjo do të ndikojë të ardhmen e tyre.