Nga Alfred Peza/

RETROSPEKTIVE/ 41

Kjo foto e rrallë e qendrës së Tiranës, është fiksuar 103 vjet më parë, në vitin 1916. Duhej të kalonin edhe 4 vjet të tjera nga ky moment, që Tirana të shpallej kryeqyteti i Shqipërisë, me vendim të Kongresit të Lushnjes.

Kulla e sahatit siç duket në foto, kishte një pamje disi të ndryshme nga ajo e sotmja. Në majë dallohet edhe “kumona” që lajmëronte orën e plotë.

Rrugët pranë saj duken të mbushura me baltë dhe në to kalonin gomerë, mushka e kuaj, me sa duket të vetmet mjete transporti të kohës. Ndërsa hapësira përpara sahatit ka qenë gati një tokë “djerrë” e pambushur ende me godina.

Në krahun e majtë të minares së xhamisë së Ethem Beut, në foto duket edhe minareja e një xhamie tjetër, e cila sot nuk ekziston më.

Kulla e Sahatit e Tiranës është ndërtuar në shekullin e XIX midis viteve 1822-1840. Është monument kulture i kategorisë së I, shpallur me Ligjin nr. 609, datë 24 maj 1948.

Ka 90 shkallë në formë spiraleje. Është 35 metra e lartë dhe deri në vitin 1970 ka qenë ndërtesa më e lartë e kryeqytetit. Fillimisht kishte një kambanë të sjellë nga Venecia. Kupola e vendosur në majë i jep asaj një arkitekturë të tipit San Marko.

Në vitin 1928 Bashkia e Tiranës bleu një orë nga Gjermania. Kjo orë u shkatërrua gjatë Luftës II Botërore dhe u zëvendësua në vitin 1946 me orën e sjellë nga kisha e Shkodrës, e cila kishte shifra romake.

Ora e sotme është vendosur në vitin 1970. Kulla e Sahatit është e hapur për turistët që prej vitit 1996. Ajo është gjithashtu simbol i emblemës së Bashkisë së Tiranës.