Nga Mero Baze

Në pranverën e vitit 1995, Ibrahim Rugova kishte vendosur të takonte partitë e opozitës në Tiranë. Pas përdorimit që Berisha i kishte bërë emrit të tij për referendumin e dështuar për Kushtetutën, ai shikonte nevojën e vendosjes së kontakteve me partitë e tjera politike. Kishte planifikuar të takonte Partinë Socialiste, Socialdemokratët e Gjinushit dhe Partinë Demokratike. E shoqërova si gazetar në të tre takimet.

Në dy prej tyre, ndodhën dy incidente që e shpjegojnë më së miri si e njeh Shqipëria, Kosovën.

E para ishte tek Partia Socialidemokrate.

Në takim ishte Skënder Gjinushi, Paskal Milo dhe Gaqo Apostoli.

Gjinushi dhe Milo ishin shumë të qartë në bisedë, të kthjellët për Kosovën, të kujdesshëm politikisht dhe dukej se e dinin me kë flisnin dhe përse flisnin. I treti ishte Gaqo Apostoli. Për të folur dhe ai një fjalë, si dy udhëqësit e tjerë, ai pyeti Rugovën.

-Zoti president, aty në Gostivar ndodhi një ngjarje e rëndë. Si e përballuat, se me sa dëgjova, u vra dhe dikush, se ngriti flamurin?

Rugova që ishte mësuar me mos-njohjen e Shqipërisë për Kosovën, e kaloi me sportivitet.

-Po kam dëgjuar, tha. Në kthim do ndaloj të takoj kryetarin Gligorov dhe t’ia theksoj se është e rëndësishme të mbrohen të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni.

-Ah… po, se Gostivari është i Maqedonisë, tha Gaqua, dhe çdo gjë kaloi me një të qeshur.

E dyta ishte me Tritan Shehun. Rugova u takua formalisht dhe me Tritan Shehun, meqë ai ishte kryetar në detyrë i PD. Pas takimit, isha tek Vila 31 ku rrinte Rugova, dhe sekretari i tij më thotë se ky Tritan Shehu është i çmendur.

-Pse, i thashë?

-Kqyr mor ça ka shkru në komunikatë shtypi, thotë, dhe më vuri para një faks të shkruar me makinë shkrimi, ku thuhej se “biseduam me presidentin Ruogva për arritjen e autonomisë së Kosovës….”

-A është mor normal ky njeri?

Më kapi gazi pasi përfytyrova Tritanin me tre telefona në dorë, një duke i thënë sekretares shkruaj, tjetrin duke fol me Doktorin, e tjetrin për ndonjë pazar.

Fola me Berishën për gafën e komunikatës, me qëllim që të frenonte trasmetimin në TVSH.

Dy minuta më vonë mori sekretarja e Tritanit të më sqaronte dhe mua si gazetar, se ishte një lapsus ajo puna e autonomisë, pasi Tritani mbante mend që ja kanë heq autonominë Kosovës dhe nuk e dinte që ja kishin kthyer…..

Mu kujtuan këto histori, ndërsa shoh këtë dalldinë e analistëve dhe politikanëve periferikë dhe histerikë të Shqipërisë, të cilët befas janë kujtuar për Kosovën dhe kanë zbuluar se dikush po e copton dhe po e shet.

Mes tyre pashë dhe Tritanin dje në një panel, që së bashku me Mesilën kishin gjetur dhe armikun, që quhej Baton Haxhiu.

Problemi nuk është se thonë broçkulla për publikun shqiptar, se publiku shqiptar, është pak a shumë si ata, për Kosovën. As e njeh mire Kosovën dhe as merakoset shumë për hallet e saj. Po ashtu, as Edi Ramën nuk është se e dëmtojnë politikisht.

Por problem i këtyre debateve të cekëta televizive, të shpifura, qesharake, banale, histerike, dhe pa asnjë përmbajtje, është se ato shikohen në Kosovë. Dhe atje befas, ata që na adhurojnë si toka mëmë, që mendojnë se ne e kemi mendjen tek ata, që mendojnë se jemi “ëngjëll mbrojtës” për ta, dhe akoma më shumë, ata që mendojnë tani në Kosovë, se dikush në Shqipëri po i shpëton nga humbja e Veriut dhe fitorja e Preshevës, befas shikojnë një tufë idiotësh histerikë që thonë broçkulla për Kosovën.

Është e dhimbshme ta shikosh si shqiptar i Kosovës këtë diarenë e ligjërimit publik të Shqipërisë për Kosovën, nga politikanë të cekët, sharlatanë, nga gra histerike që bëjnë si burra të fortë, dhe mbi të gjitha nga gazetarë që kurrë nuk janë marrë me Kosovën, që kur i shikon se çfarë thonë, të krijohet ideja që Kosova është një livadh i Ramushit, që do t’i shesë Hashimi me këtë Batonin, por ai s’do, se kështu i ka pas ik një livadh në Dukagjin, për llogari të Malit të Zi.

Është më mirë ta dëshpërosh Kosovën, duke i thënë nuk kemi punë me ju dhe vrisni veten, se sa t’u thuash “ne po të dalim zot” dhe ata befas shikojnë, që “ëngjëjt mbrojtës” të Kosovës, nuk e kanë haberin as për Kosovën dhe as për problemet e saj. Thjesht tregojnë se Shqipëria as e njeh, as e kupton dhe as nuk di si ta ndihmojë Kosovën. Pasi gjithonë, i duhet ta përdorë për hallet e saj.