Nga Alfred Peza

Pas shumë piruetash, shpërthimesh të pakontrolluara dhe qëndrimesh nga një ekstrem në tjetrin, më në fund një aktor i rëndësishëm politik jashtë mazhorancës qeverisëse, ka artikuluar një tezë që shkon në sinkron me qëndrimet e Kryeministrit Edi Rama dhe gjithë faktorëve ndërkombëtarë në lidhje me zhvillimet e fundit politike në Shqipëri.

Presidenti I Republikës Ilir Meta than ë Durrës se “besoj vetëm te dialogu dhe vetëm te zgjidhja politike përmes një dialogu të përgjegjshëm dhe real për të rivendosur normalitetin e plotë kushtetues, institucional dhe demokratik të vendit.” Në këtë mënyrë, busulla e orientimit politik në pyllin ku ka humbur rrugën prej dy muajsh opozita jonë, ka nisur të tregojë “Nordin” e vërtetë.

Shenjë e sigurtë se pas kësaj, edhe lidershipi i “Opozitës së Bashkuar” do ia dale herët ose vonë, që ta gjejë arësyen për të kuptuar si edhe Meta, se vetëm dora e shtrirë e dialogut mund ti rikthejë “djemtë tanë plangprishës” në opozitë, brenda shtëpisë derëhapur të sistemit të një demokracie funksionale.

Pas deklaratës së 5 nëntorit 2018 nga Presidenca se “koha e drejtimit të shtetit shqiptar me Sekretar të Parë ka përfunduar njëherë e përgjithmonë”;

Pas deklaratës së 20 shkurtit të këtij viti nga Gjermania se “është koha të kemi një hap prapa nga opozita, por mendoj që është koha të kemi edhe dy hapa pas nga mazhoranca, nga qeveria dhe nga Kryeministri…”;

Dhe pas deklaratës së 20 marsit nga Pogradeci se “jam i përgatitur të lë mandatin dhe deri të sakrifikohem si Salvador Aljende për të mos lejuar instalimin e një junte ushtarake. Pasojat e krizës mund të jenë të rënda për Shqipërinë. Si President kam bërë çdo përpjekje për të parandaluar krizën”, ka ardhur kjo e sotmja nga Durrësi:

“Besoj vetëm te dialogu dhe vetëm te zgjidhja politike përmes një dialogu të përgjegjshëm dhe real për të rivendosur normalitetin e plotë kushtetues, institucional dhe demokratik të vendit.”

Kështu qoftë.

Mirëseerdhët nga fantapolitika në realpolitikë, zoti President.

Fjala jotë në vesh të opozitës.

Amen!