Kukësi është rikthyer te fitorja, duke mundur me rezultatin 0-2 Tiranën në ‘Selman Stërmasi’.

Dy golat e sulmuesit Vasil Shkurtajn, kanë qenë të mjaftueshëm për skuadrën e drejtuar nga Ernest Gjoka që lë pas në këtë mënyrë humbjen e pak ditëve më parë ndaj Flamurtarit.

Kjo fitore, u duk më shumë si një hakmarrje e Kukësit për humbjen e pësuar pak javë më parë në Kamzë, aty ku u largua më shumë nga titulli kampion.

Dy skuadrat kanë kërkuar golin në mënyrë të vazhdueshme, me bardhbelutë që kanë pasur rastin e artë për të kaluar në avantazh, por Hasani ka gabuar me portën e boshatisur. Sakaq, edhe në pjesën e dytë ka pasur raste të pastra për të dyja skuadrat.

Me këtë rezultat, Kukësi shkëputet në vendin e dytë me 3 pikë më shumë se Flamurtari, ndërkohë që ka 10 më pak se Partizani. Nga ana tjetër, Tirana renditet e parafundit me 5 pikë më shumë se Kastrioti.

Flamurtari dhe Luftëtari kanë ndarë pikët sot në një ndeshje shumë të luftuar në Vlorë, një sfidë e cila u vendos në minuat e fundit të saj.

Dueli dhuroi emocione që në fillim, me të dy ekipet që krijuan volum loje dhe raste, pro pa gjetur rrjetën në pjesën e parë të ndeshjes, e dyta filloi me golin e shpejtë të Ribajt, që vendosi vlonjatët në një pozicion të favorshëm, duke pritur e kundërsulmuar rrezikshëm.

Por ata nuk arritën të mbyllnin ndeshjen dhe në fund u ndëshkuan nga goli i Filit i cili kishte provuar në çdo mënyrë deri atëherë të gjente rrjetën, i ndalur nga Koliçi.

Pika ndihmon shumë gjirokastritët që mbajnë larg Kastriotin në luftën për mbijetesë, ndërsa për momentin i mundëson edhe Flamurtarit të ruajë vendin në klasifikim që i garanton Europën.