Nëse ju kujtohet momenti kur hodhët hapat e parë apo kur thatë një fjalë të plotë për herë të parë, me shumë mundësi i keni trilluar vetë. Një studim masiv mbi kujtimet e fëmijërisë doli në përfundimin se është e pamundur që njerëzit të mbajnë mend ndodhi para moshës tre vjeç e gjysmë. Studimi i publikuar në Psychological Science Journal, zbuloi se 40% e kujtimeve të njerëzve janë trillim, pasi thonë se kanë ndodhur para moshës dy vjeçare. Kujtimet e hershme, shpeshherë në karrocë, janë rezultat i kujtesës miksuar me imagjinatën.

Profesor Martin Conway, bashkëautor i studimit tha: “Ky lloj kujtimi nis nga dikush që thotë ‘nëna kishte një karrocë të madhe jeshile. Pastaj personi në fjalë imagjinon si mund të jetë dukur.”

Në të vërtetë, nuk kujton ndjesinë e të qenit në një karrocë jeshile, por fragmente të kujtimeve të mëvonshme në jetë përzihen me trillimin. Studiuesit gjithashtu zbuluan se njerëzit formojnë kujtime të mirëfillta në moshën pesë ose gjashtë vjeçare, por sidoqoftë kujtimet e moshës tre vjeçare konsiderohen realiste. Për të studiuar kujtesën fëminore, kërkuesit pyetën 6,641 njerëz se cili ishte kujtimi i tyre i parë dhe konfirmuan se s’ishte i lidhur me një fotografi apo një histori familjare. Sipas Conway, kujtimet e trilluara janë shpeshherë rezultat i fotografive apo historive të treguara nga të tjerët.

2,487 nga të intervistuarit thanë se kujtimi i tyre më i hershëm ndodhi para moshës dy vjeç e gjysmë, me 893 që thanë se ishte më i hershëm se mosha një vjeç e gjysmë. Studiuesit mendojnë se kjo është e pamundur, duke marrë parasysh si zhvillohet truri. Edhe pse mund të na duket se mbajmë mend diçka nga vegjëlia, kërkuesit dolën në përfundimin se kujtimet janë të trilluara të paktën deri në moshën tre vjeçare.

Burimi: The Independent