Presidenti Ilir Meta ka komentuar edhe njëherë situatën politike në të cilën ndodhet vendi. Kreu i shtetit deklaroi se kriza politike po sjell pasoja tepër të rënda në ekonomi. “Por për fat të keq, kriza politike ku ndodhet vendi, po sjell pasoja tepër të rënda edhe në ekonomi. Efektet e para kanë filluar të ndihen në turizëm dhe operatorët e cilësojnë situatën dramatike. Edhe për këtë arsye ia vlen të reflektohet urgjentisht, përndryshe do të goditet rëndë turizmi dhe gjithë familjet shqiptare që mbështesin mirëqenien e tyre në këtë sektor kyç të ekonomisë tonë”, deklaroi Meta.

Këtë mesazh presidenti e përcolli nga Skrapari ku ishte i pranishëm për çeljen e sezonit të ri turistik. “Me urimin për një sezon të mbarë e të suksesshëm turistik, jam i bindur se Skrapari, falë atraksioneve të jashtëzakonshme që ofron, mikpritjen, traditat e kulinarinë e veçantë, shumë shpejt do të jetë një nga destinacionet më të rëndësishme turistike në të gjithë rajonin!”, deklaroi presidenti.