Kur kanë mbetur edhe dy javë nga rekomandimi i Komisionit Europian për fillimin e bisedimeve për anëtarësim, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka ripërsëritur deklaratën se është momenti që t’i jepet fund krizës politike. Nga Cërriku, Balla është shprehur se palët duhet të gjejnë një zgjidhje, për t’i çelur Shqipërisë rrugën Europiane.

“Së fundmi, gjej rastin t’u them, se sot jemi vetëm dy javë nga rekomandimi i Komisionit Europian për fillimin e bisedimeve për anëtarësim dhe sigurisht ndër vite këtu kanë kontribuar të gjithë aktorët politikë dhe apeli im këtu nga Cerrikut është: “Për Europën, për gjakun e dëshmorëve ne duhet të jemi të gjithë së bashku”, përfundoi Balla.

Balla ishte sot në ceremoninë e 76 vjetorit të themelimit të batalionit të Dumresë, i cili pati një kontribut të rëndësishëm në çlirimin e atdheut. Sipas Ballës në këtë 75 vjetor të çlirimit të atdheut Shqipëria është në pragun e fillimit të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian.

“Ne nuk duhet të harrojmë se në të gjithë Europën, vetëm Shqipëria u çlirua me gjakun e 28 mijë dëshmorëve të cilët dhanë jetën. Sot është dita që ne ta rikujtojmë këtë moment historik. Në këtë 75 vjetor të çlirimit të atdheut ne jemi aty ku ëndrra e dëshmorëve, dëshironte të ishim.

Jemi në pragun e fillimit të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe unë jam shumë i sigurtë që ky 75 vjetor do të jetë Viti i Europës për shqiptarët, viti i fillimit të bisedimeve për anëtarësim. Shpreh gjithashtu kundërshtimin tonë kundrejt atyre përpjekjeve të bëra së fundmi nga disa pseudohistorianë të cilët tentojnë të bëjnë pis LANÇ. JO, LANÇ është një prej epokave më të ndritura të atdheut tonë dhe kush tenton të hedhë baltë mbi LANÇ do të marrë përgjigje të ashpër nga ana jonë.

Si Sekretar i Përgjithshëm i PS, dua t’u them Organizatës së Veteranëve të LANÇ, dua t’u them Organizatës së Familjeve të Dëshmorëve, se ne jemi këtu dhe do të qëndrojmë fort për të mbështetur LANÇ. Për ne, ajo është pjesë e gjakut që na rrjedh në vena dhe ne do të mbrojmë me përkushtim të gjitha mesazhet që dha lufta”, deklaroi Balla.