Nga Mero Baze/

Ka së paku dy zhvillime të ditëve të fundit që provon se PD po vepron si krah politik i bandave të veta dhe si gjobëvënëse ndaj bizneseve që nuk paguajnë në llogarinë e kunatit të Lulzim Bashës.

E para, është operacioni anti-krim në Shkodër, ku Policia e Shtetit, në sinkron me policinë holandeze, belge, si dhe Interpolin, realizoi një operacion masiv për arrestimin e disa personave në kërkim në Shqipëri, Belgjikë dhe Holandë.

Mes të arrestuarve, bien në sy njerëz të klanit “Bajri”, për të cilin PD thotë se është afër PS. Nuk është se ka ndonjë provë për këtë, por e marrim të mirëqënë që dikush nga Bajrët është më shumë socialist, se sa demokrat.

Por historia e përfshirjes së tyre në Shkodër me ngjarje kriminale, është histori hasmërie me një fis tjetër, i cili është zyrtarisht dhe i zgjedhur i PD në Këshill Bashkiak.

Beteja mes Bajrëve dhe atij klani kriminal që është zyrtarisht dhe i përfaqësuar politikisht nga PD, ka qenë një ekuilibër kriminal në Shkodër.

Tani Policia e Shtetit drejtuar nga një ministër socialist, ka goditur atë që quhet klani i “Bajrëve”, ndërkohë që klani kriminal i PD është i lirë.

Në këtë rast PS ka treguar se nuk mbron ndonjë klan kriminal në këtë histori, ndërsa PD ka bërë të kundërtën. Asnjë nga PD nuk i ka zënë asnjëherë në gojë kriminelët që i ka dhe të zgjedhur lokalë dhe që terrorizojne me ta Shkodrën, në çdo palë zgjedhje.

Përfshirja e saj në interesat kriminale të grupeve, duke u bërë dorë e zgjatur e një bande kundër tjetrës, është tejet e rrezikshme, pasi identifikon PD-në me luftë bandash.

E njëjta histori është dhe në Elbasan. PD flet vazhdimisht për një bandë të quajtur Çelaj, që është afër PS, dhe asnjëherë nuk ka folur qoftë dhe një fjalë të vetme për Çapajt, që janë problem ndërkombëtar.

Njësoj si në rastin e Shkodrës, PD dhe Basha duket se veprojnë si krahu politik i një bande kundër një tjetre.

Kjo histori është dhe në Durrës, Vlorë, Fier apo Lushnjë.

Ngjarja e dytë ka të bëjë me teatrin e sotëm të Lulzim Bashës, që premton një platformë anti-korrupsion për PPP dhe sekuestrimin e pasurive të biznesmenëve që përfshihen në këto gara. Kjo është tallje dhe më e madhe.

Historia e koncesioneve dhe PPP-ve është një histori e nisur nga Berisha. Bile Argita ka bërë dhe libër si tekst mësimor për këtë, nga përvoja që pati në shpërndarjen e tyre.

Koncesioni i ngjyrosjes së karburantit dhënë nga Sali Berisha, regjistruar në parajsën fiskale të Panamasë dhe Zug në Zvicer, rezulton të jetë me pronar Ismail Mulletin, ish- krahu financiar i PD në kohën e kompanisë Shqiponja.

Ekzistojnë transferta bankare të Mulletit në llogarinë e Shkëlzen Berishës, në kohën që ka marrë këtë koncesion, dhe qeveria ka tentuar ta anulojë, por ka qenë e rrezikuar nga gjoba në arbitrazh.

Lulzim Basha i ka të gjitha firmat e mundshme të na e zbardhur këtë histori dhe t’i arrestojë ata që ua ka dhënë Berisha.

Sali Berisha ka dhënë koncesionin e skanimit në dogana, ku përsëri përflitet familja e tij si aksionere e fshehtë.

Çështja është në hetim dhe në SHBA, për shkak të mashtrimit që pala amerikane u ka bërë aksionerëve të vet, duke fshehur vlerën e pagesës korruptive për qeveritarët që i dhanë koncesionin.

Lulzim Basha i ka të gjitha firmat të hetojë dhe t’i ndëshkojë qysh tani.

Përpjekja e Bashës të terrorizojë investitorët që hyjnë në gara koncesionare dhe heshtja e tij ndaj dhjetra koncesioneve koruptive që ka dhënë ai dhe Sali Berisha, është thjesht të bëhesh dorë e zgjatur banditi kundër biznesmenëve që nuk i paguajnë më atij dhe kunatit të vet, taksën që i paguanin dikur.

Shfaqja e sotme publike e tij ishte thjesht përpjekje për t’u vënë gjoba biznesmenëve që duhet të vrapojnë tek kunati i vet, se janë vonuar me pagesat.

Të bëhesh palë me një bandë kundër një tjetre, që ndërkohë qeveria e ka arrestuar, dhe akoma më keq, t’u vësh gjoba publikisht biznesmenëve që të paraqiten tek borderoja e Kunatit, do të thotë të sillesh si një krah politik i bandave dhe gjobvënës publik.