Kreu i Sindikatës së punonjësve të policisë, Sadetin Fishta, e gjen me vend ndërhyrjen e policisë me gaz lotsjellës në protestën e opozitës me 16 mars.

Duke folur për Ora News, ai thotë se protestuesit kaluan vijën e kuqe.

Sa për pasojat e gazit, Fishta thotë se sasitë në cilat përdoret dhe ambjenti i hapur ku hidhet e bëjnë më tepër irritues sesa helmues.

“Ka pasur konfrontime dhe përdorimi i mjeteve nga policia në rastet kur ajo është sulmuar dhe dhunuar objektet e rëndësisë së veçantë si rasti i fundit në parlament, e ka detyruar policinë të përdorë edhe gazin lotsjellës për të cilën sot diskutohet shumë nga opozita dhe policia.Ka instruksione për përdorimin e tij, në dukje quhet gaz helmues por është më shumë irritues.Dozat që ka ky gaz në përdorimin e turmave nuk besoj se do të lërë pasoja pas, sidomos kur përdoret në ambjente të hapura”, deklaroi Fishta.

Sepse në qoftë se përdoret në ambjente të mbyllura detyrimisht ky gaz është helmues dhe mund të shkaktojë dëme të tilla deri në vdekje.Edhe kur përdoret në ambjente të hapura instruksionet janë që duhet të evitohen gratë shtazëna dhe fëmijët.Rasti i fundit brenda territorit të parlamentit është përdorur drejtë. Ka kaluar turma pjesën e vijës së kuqe që e konsideron policia.

Duke analizuar në terësi protestat e opozitës, Fishta thotë se ka pasur edhe tejkalime.

“Ka pasur edhe tejkalime, është përdorur jashtë kësaj kur grupe të caktuara kanë sulmuar policinë me mjete të forta.E ka përdorur dhe në raste të tilla ekstreme. Por përdorimi i gazit ka qenë i reduktuar, jo përdorim masiv”, deklaroi Fishta.

Sadetin Fishta thotë se policia i vuan e para pasojat e krizave politike. Por siç nënvizon ai, punonjësi i policisë së shtetit duhet të ketë mbi të gjitha ligjin pasi qeveritë shkojnë dhe vijnë