Pak para se Kosova të festonte dhjetëvjetorin e shtetësisë erdhi njohja e vetme në këtë vit. Ishte Barbadosi ai që e pranoi mëvetësinë e Kosovës. Në muajin shkurt presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe homologu i tij nga Mali i Zi Filip Vujanoviq nënshkruan një deklaratë të përbashkët për shënjimin e kufirit mes të dyja vendeve. Në këtë deklaratë të dy presidentët zotohen se do të ketë rishikim të Marrëveshjes së Demarkacionit të Kufirit ndërmjet të dyja vendeve në pikat ku mund të ketë pasur gabime.

Ratifikimi i Demarkacionit, arrestimi i Gjuriqit dhe dëbimi i gylenistëve- Në mars Kuvendi i Kosovës e përfundoi “lojën” trevjeçare për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi. Katër përpjekjet e para për ta ratifikuar Marrëveshjen e Vjenës dështuan pasi deputetët e Vetëvendosjes hidhnin gaz lotsjellës në sallë të Kuvendit. Ndërsa në përpjekjen e pestë të ditës, me 80 vota për, u ratifikua Demarkacioni me Malin e Zi.

Po këtë muaj Kosova mori një lajm të keq, Agjencia e Akreditimit të Kosovës u përjashtua nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë.- Muajt kalonin, por dorëheqjet në Lëvizjen Vetëvendosje nuk ndaleshin dhe radha i erdhi kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmetit, i cili përmes një letre të dërguar medieve konfirmoi se nuk është më pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje. Po në këtë muaj u formalizua edhe grupi i ri parlamentar nga 12 deputetët e larguar nga Vetëvendosja, shkruan tutje gazeta “Zëri”.

Më 26 mars Policia e Kosovës e arrestoi në veri të vendit shefin e së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriqin, i cili kishte hyrë në Kosovë pa leje të Prishtinës zyrtare. Pas arrestimit të Marko Gjuriqit në Mitrovicë Lista Serbe nga Beogradi njoftoi se më nuk do të jetë pjesë e qeverisë “Haradinaj”. Nga ajo kohë ministrat serbë vazhdojnë ta kryejnë punën në dikasteret qeveritare, por nuk marrin pjesë në mbledhjet e Qeverisë.

Në fund të marsit drejtori i përgjithshëm i shkollës “Mehmet Akif” në Kosovë Mustafa Erdem, zëvendësi i tij Yusuf Karabina, drejtori i shkollës në Gjakovë Kahraman Demirez dhe dy arsimtarë, Djihen Ozkan dhe Hasan Gunakana, u arrestuan dhe u dëbuan në Turqi me kërkesë të autoriteteve turke nën dyshimet se janë pjesë e organizatës së klerikut Fetullah Gylen. Kosova u kritikua për dëbimin e tyre pa vendim të gjykatës, ndërsa liderët institucionalë thanë se nuk kanë qenë të informuar për këtë rast.