Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet që po kryhen në godinat e konviktit të Universitetit të Mjekësisë dhe më pas zhvilloi një bashkëbisedim me studentët që jetojnë aty. Puna ka nisur fillimisht me sallat e leximit dhe bibliotekat, për t’i lënë radhën më pas, gjatë verës, kur studentët marrin pushimet vjetore, rikonstruksionit total të tyre.

“Jam shumë i kënaqur nga mënyra se si vlon puna edhe në fundjavë, fill mbas festave dhe motit të keq, për të transformuar qendrat tona studentore. Qendrat studentore sapo i kanë kaluar Bashkisë së Tiranës, prandaj si çdo gjë që Bashkia e Tiranës prek me dorë, sigurisht që edhe ato do të shkëlqejnë. Ka filluar rikonstruksioni i konvikteve te Inxhinieria, që sot janë dita me natën”, tha Veliaj.

Kreu i bashkise tha se tek rezidencat e Mjekësisë janë larguar zaptuesit e mjediseve që i kishin kthyer ato në kafe dhe pika bastesh, ndërkohë që po punohet për rehabilitimin e tyre, me qëllimin ofrimin e kushteve sa më të mira për studentët e ardhur nga rrethet në Tiranë.