E ftuar në studion e ERTV-së, ku foli për rritjen e numrit të procedurave të prokurimeve publike konkurruese, të hapura dhe transparente përmes sistemit elektronik të prokurimeve, Drejtorja e Agjencisë së Prokurimeve publike, Reida Kashta, u përgjigj edhe mbi një artikull të fundit, publikuar në media, sipas të cilit, vitet e fundit është shtuar numri i kontratave publike të klasifikuara si sekret shtetëror.

Sipas saj, këto kontrata janë kryer konform legjislacionit përkatës në fuqi, që është në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian. Kontratat e klasifikuara, tha drejtorja, përbëjnë vetëm 1.6 % të totalit të procedurave të prokurimeve publike të kryera në vitin 2018, vit në të cilin dominojnë procedurat konkurruese dhe transparente.

“Unë do të doja të thoja që legjislacioni i prokurimit parashikon si raste përjashtimore, rastet e kontratave në fushën e mbrojtjes apo që kërkojnë masa të veçanta sigurie. Ky përjashtim është absolutisht në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian. Rregullimi është i njejtë në Shqipëri, si në vendet anëtare të BE. Duhet të theksojmë që këto kontrata nuk zhvillohen pa asnjë rregull, ato zhvillohen sipas legjislacionit përkatës që është në fuqi. Nga një analizë që i është bërë procedurave të klasifikuara, zhvilluar vitet e fundit në Shqipëri vitet e fundit, rezulton se për 2018 ky numër është vetëm 1.6% e totalit të procedurave të prokurimit publik…”, tha Kashta.

Drejtuesja e APP-së bëri një tjetër shpjegim që provon pse AKSHI (Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit) ka numrin më të lartë të procedurave të prokurimeve të kryera, përfshirë këtu edhe ato te klasifikuara sekret.

“Rezulton se këto procedura të kryera vitet e fundit, janë zhvilluar kryesisht në fushën e sistmeve të IT-së, pra nga AKSHI. Ky numër i procedurave të zhvilluara nga AKSHI, me procedura të të gjitha llojeve, vjen për faktin se dy vitet e fundit ky institucion është ngarkuar përmes një vendimi të këshillit të ministrave për të qënë institucion prokurues qëndror, për të gjitha institucionet në varësi të këshillit të ministrave. Ky është shpjegimi i numrit të rritur të procedurave të zhvilluara nga AKSHI, pasi ka mbledhur të gjitha procedurat që më parë realizoheshin vetë nga institucionet e administratës publike. Është organ qëndror blerës”, tha Kashta.

Drejtorja u pyet edhe mbi konstatimin e autorëve të artikullit mbi kontratat sekrete, sipas të cilit, “disa institucione publike si Autoriteti Rrugor Shqiptar, i cilësojnë edhe kontratat e thjeshta për punë publike si ndërtimi dhe mirëmbajtja e rrugëve si “konfidenciale”.

Kashta sqaroi se në këtë rast, nuk bëhet fjalë për kontrata sekrete, siç lë të kuptohet ky artikull. ARRSH nuk ka realizuar asnjë procedurë të kualifikuar si sekret, pasi i zhvillon procedurat nëpërmjet sistemit elektronik të prokurimeve elektronike, që është i vendosur në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik.