Komisioni Europian ka prezantuar gjatë ditës së sotme Axhendën Dixhitale për Ballkanin Perëndimor gjatë Asamblesë Dixhitale të zhvilluar në Sofje të Bullgarisë. Axhenda synon të mbështesë kalimin e e rajonit në një ekonomi dixhitale dhe të sjellë benefite të transfomimit dixhital si rritje më e shpejtë ekonomike, më shumë vende pune dhe shërbime më të shpejta në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Maria Gabriel, Komisionere për Ekonominë Dixhitale dhe Shoqërinë tha se zbatimi i axhendës dixhitale do të ndihmojë në modernizimin e administratës publike, rritjes së konektivitetit dhe promovimin e klimës së biznesit në rajon.

Ndër të tjera, Komisioni European dhe 6 vendet e Ballkanit Perëndimor angazohen përmes kësaj axhende për investime në ndërlidhjen përmes infrastrukturës broadband.

Përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), 30 milionë euro në grante të BE-së do të vihen në dispozicion për infrastrukturën broadband në rajon, për të mobilizuar investimet strategjike dhe për të nxitur rritjen socio-ekonomike. Paketa e asistencës teknike tashmë është miratuar për Shqipërinë, nën strukturën WBIF, si një nga paketat e para të investimeve, njofton Komisioni Europian në një deklaratë për shtyp.

Agjenda digjitale për Ballkanin Perëndimor do të mbështesë ngritjen e kapaciteteve për sigurinë kibernetike dhe dixhitalizimin e industrisë në Ballkanin Perëndimor, për të siguruar që të gjithë sektorët të përfitojnë nga risitë digjitale.

Agjenda digjitale do të mbështesë vendosjen e mjeteve të e-qeverisjes, e-prokurimit dhe eHealth. Ajo do të ndihmojë në ngritjen e objekteve kombëtare kërkimore dhe zhvillimin e e-infrastrukturave shtetërore të Ballkanit Perëndimor, si dhe do t’i integrojë ato në një zonë dixhitale në Evropë. Kjo përpjekje do të sjellë një trajnim të klasit botëror për një gjeneratë të re të studiuesve dhe inxhinierëve, si dhe do të promovojë bashkëpunimin ndërdisiplinor në të gjithë Evropën.

Në samitin e Triestes në korrik 2017, liderët e Ballkanit Perëndimor miratuan integrimin dixhital si një nga katër komponentët e Planit shumëvjeçar të veprimit, për një zonë ekonomike rajonale./LEXO.AL