Sezoni turistik nuk është çelur ende zyrtarisht, por ditët plot diell kanë sjellë në Durrës dhe hotelet buzë Adriatikut, shumë turistë të huaj dhe nga Kosova.

Përveç orëve të gjata me diell dhe një bregdeti fantastik, turistët e huaj joshen dhe nga trashëgimia jonë e pasur kulturore dhe monumentet e shumta arkeologjike që e dëshmojnë atë.

Pavarësisht tensioneve politike në vend dhe ndikimit negativ të tyre në turizëm dhe ekonomi, edhe ky sezon parashikohet të jetë i suksesshëm nga operatorët turistikë. Interesi i agjencive të huaja dhe pushuesve mbetet i lartë.

Ata që vijnë për herë të parë nuk zhgënjehen. Thonë se do të kthehen prapë, pasi vendi ofron një larmi ofertash turistike. Për t’iu përgjigjur këtij fluksi turistësh, mjaft operatorë turistikë kanë zgjedhur të investojnë në infrastrukturë, kulinari, si dhe në trajnimin e stafeve të shërbimit.