Deri para vitit 2015 kur u krijua Agjencia e Zonave të Mbrojtura, Parqet Kombëtare ishin thuajse inekzistente, ndërsa sot ato shtrihen në më shumë se 18% të territorit të vendit, duke krijuar për herë të parë një sistem për ruajtjen dhe menaxhimin e tyre edhe nga pikëpamja turistike. “Shifrat tregojnë se vetëm në 3 muajt e parë të vitit 2019, Zonat e Mbrojtura janë vizituar nga rreth 140 mijë persona, nga të cilët rreth 27 mijë, turistë të huaj. Të dhënat janë shpresëdhënese, por shifrat nuk mjaftojnë!

Ka ardhur koha që të përfundojë historia e gjobave për veprimtari si: HEC-e, gurore apo industri të tjera që veprojnë kundër mjedisit. Ata që kryejnë krim mjedisor duhet të ndëshkohen penalisht sepse si çdo krim tjetër edhe krimi mjedisor duhet dënuar me ligj! Ndaj kemi gati draft paketën e ndryshimeve në Kodin Penal, amendime që parashikojnë ashpërsime të dënimeve për kundravajtësit e mjedisit. Ata që dëmtojnë Zonat e Mbrojtura do të dënohem me 1-5 vite burg, ndërsa ata që shkaktojnë dëme të pakthyeshme në ekosistem dhe biodiversitet do të dënohen me 5-15 vite burg”, tha ministri Klosi, gjatë takimit me përfaqësues të lartë të njësisë së karabinerisë italiane për kontrollin e mjedisit dhe ekspertë mjedisorë, ku prezantoi ndryshimet në Kodin Penal, në fushën e mjedisit.