Ish-kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi dha një përgjigje dje për të gjitha akuzat e ish-kryeministrit Sali Berisha ndaj tij. Gjatë ditëve të fundit Berisha është hedhur në sulm ndaj Klosit, duke rikthyer në vëmendje vrasjen e ish-ministrit kosovar, Ahmet Krasniqi.

Sipas Berishës, vrasja e Krasniqit në shtator të vitit 1998 është bërë me urdhër të Fatos Klosit, por ky i fundit e mohon në mënyrë kategorike një gjë të tillë. Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, Klosi deklaroi se deklaratat e ish-kryeministrit janë të gënjeshtërta.

Sipas tij, Berisha po tenton që të tregojë se nuk është vetëm ai kriminel, por edhe njerëzit e tjerë që kanë patur pushtet.

“E kam dëgjuar nja 100 herë këtë akuzë, mbase edhe më shumë. Sa herë e ka thënë Berisha këtë punë, është absurditet. Është një gënjeshtër e nisur nga zeroja, nuk ka asnjë bazë të vërtetë. Kështu që nuk e kam vrarë kurrë mendjen sepse ai ka thënë gjëra akoma edhe më të rënda për mua, kështu që kam dëgjuar aq shumë akuza saqë më duken bajate tani dhe më vjen gjynah për të që vazhdon dhe i përmend. Ai nuk më sulmon mua. Ai do të thotë që shiko, Shërbimi Informativ që në atë kohë varej nga ministrat socialistë janë kriminelë. Ai e ka hallin me palën tjetër, nuk e ka me mua. Do të thotë që ka qenë një palë që ka vrarë, që ka prerë, nuk jemi vetëm neve ata që kemi bërë zullume, edhe këta kanë bërë. Kërkon të na barazojë me veten e tij, të tregojë që s’jam vetëm unë kriminel. Do të tregojë që pushteti kështu e ka, edhe do të vrasësh”, tha Fatos Klosi.

Ai sqaroi se Shërbimi Informativ Kombëtar asokohe nuk kishte asnjë informacion për rrezikun që i kanosej Ahmet Krasniqit. Klosit shtoi se vrasja e tij ishte e papritur për të gjithë.

“Vrasësit e Ahmet Krasniqit nuk u kapën ndonjëherë dhe pastaj dëshmuan për detaje. Ishte një ngjarje e papritur për ne, nuk e kishim parashikuar dot, nuk kishim asnjë informacion. E njëjta situatë u shty më tutje edhe në prokurori. Nuk dinim asgjë”, u shpreh ish-kreu i SHISH.

Përgatitja e terrenit për të “djegur” vendin

Fatos Klosi shkoi më tej në reagimin e tij, duke shtuar se një arsye pse Sali Berisha ka nisur këtë “fushatë” sulmesh ndaj tij, por edhe personazheve të tjerë mund të jetë se po përgatitet për të “djegur” vendin. Për Klosin, Berisha po i rihap këto çështje për të përgatitur një situatë kaotike në vend. Ai theksoi se ish-kryeministri është ende i rrezikshëm.

“Kam edhe një frikë që sikur po rihap probleme të tilla që t’i paraprijë fushatës elektorale që do të bëhet, për të cilën ai ka thënë se do të jetë zjarr. Do që të përgatisë terrenin për një situatë të vështirë, kaotike. Po të kishim patur informacione që e rëndojnë Berishën, nuk do të kishim përtuar t’i çonim në prokurori. Nuk do ta kishim kursyer. Aq sa kemi pasur, aq sa dimë ne, ne i kemi çuar informacionet në prokurori dhe tek shefat tonë. Ne e kemi bërë detyrën tonë, por natyrisht ishte shumë e qartë që kur ndodhte një ngjarje, thoshim ku është dora e Berishës aty. Një njeri që bën krime, që në fillim mendon si t’i shmanget autorësisë, si të largohet nga dyshimet se ka gisht ai. Ne asnjëherë s’kemi pritur që të jenë gjërat e kollajshme për t’u gjetur. Por duke u bërë shumë tani, se po dalin plot gjëra, problemi duhet riparë. Pse? Sepse mesa duket është akoma i rrezikshëm. Akoma do t’i vërë flakën këtij vendi”, deklaroi Fatos Klosi.