Në zbatim të urdhrit të kryeministrit, ministri Klosi mblodhi paraditen e sotme Task Forcën e parë qendrore, për menaxhimin e sezonit veror 2019, me përfaqësi nga të gjitha institucionet shtetërore, për të diskutuar dhe ndarë detyrat, në shërbim të një sezoni veror më të suksesshëm se ai i mëparshmi.

“Deri tani kemi realizuar disa takime nga veriu në jug, nga Velipoja në Sarandë, nën drejtmin e prefektëve për Task Forcën e rajonit, për një menaxhim më të mirë, që lidhet me 3 pikë kryesore: Siguria, pastërtia dhe cilësia në shërbime.

Të treja këto patën rezultate positive, një vit më parë, por ato që realizuam vjet nuk janë përsëri mjaftueshëm. Përpjekja jonë e madhe është që sezoni të mos jetë sezoni klasik që fillon në qershor dhe mbaron në shtator, ne duam që të jetë shumë më tepër se kaq dhe ndaj jemi mbledhur që në prill për të pasur një fashë më të gjerë atë që tur operatorët e kanë bërë me shumë shpejtësi dhe biznesi privat e ka realizuar në disa nga pikat kulmore te turizmit shqiptar ku turistët e parë kanë filluar të vijnë, që sezoni të nisë që në prill dhe të përfundojë në nëntor. Por, që kjo të ndodhë, ne duhet ti sigurojmë standarde pushuesve dhe turistëve”, tha ministri Klosi.

Problem i dytë, sipas ministrit është siguria e jetës së pushuesve, siguria ushimore dhe higjiena. “Do të kërkojmë nga instituti i higjenës, por edhe nga inspektoriati i mjedisit që të shtohen kontrollet. Është e pafalshme që në në zonat më të frekuentuara të kemi një pastërti relativisht shumë të mirë brenda hotelerisë, por kur vjen puna te struktura përreth gjen problematika të mëdha. Atë që duhet të ketë si detyrë të parë kjo Task Forcë është që të 3 institucionet tona; Instituti i Higjenës, AKU dhe Inspektoriati i Turizmit të bëjnë që sot një verifikim në terren të gjithë këtyre subjekteve që ne kemi evidentuar nga tur operatorët dhe që do të jenë subjektet që do të presin sërish turistët.

Bashkë me drejtorinë e tatimeve do të evidentojmë të gjithë subjektet, që kanë aktivitetin e tyre gjatë sezonit intensiv turistik që të vazhdojmë e të mos tërhiqemi nga politikat tona për të formalizuar gjithë këtë treg dhe për tu bërë me dije që para se sezoni të fillojë në mënyrë intensive që kontrolli do të jetë përsëri i rreptë dhe menaxhimi do të jetë në bazë të rregullave”, tha ministry Klosi. Një tjetër problematikë, sipas tij, mbetet ndotja akustike, për të cilën ministri u ka kërkuar bashkive që në zbatim të VKM së re për “stacionet e Plazheve” të miratojnë me vendim të Këshillit Bashkiak hartat e zonave ku lejohet dhe nuk lejohet muzika.

“Duhet të ndërhyjmë si Task forcë për të kërkuar operimin 24 orë sepse ka problem të charterave me turistë edhe pas orës 12.00 të natës. E kemi të vështirë të themi që gjithë Shqipëria është destinacion i kontrolluar, por në bazë të një liste që kemi marrë nga operatorët turistikë ne kemi mundësinë që të evidentojmë një numër të caktuar polesh të zhvillimit të turizmit që duhet të jenë shumë më tepër në syrin e inspektoriateve tona”, u shpreh ministri Klosi.