Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, është kritikuar nga Federata e Futbollit të Azerbajxhanit, pasi e përshkroi vendimin e UEFA-së që Baku të jetë vendi i finales së Ligës së Evropës si “të papërgjegjshëm”. Chelsea dhe Arsenali do të takohet në finalen angleze të 29 majit të Ligës së Evropës. Dy klubet londineze do të duhet të udhëtojnë mbi 6 mijë milje për të arritur në qytetin Baku të Azerbajaxhanit.

Kloppi, i cili bashkë me skuadrën e tij do të udhëtojë në Madrid për t’u përballur me Tottenhamin në finale të Ligës së Kampionëve e përqeshi vendimin e UEFA-s që një ndeshje kaq e rëndësishme të mbahet në lindje të Evropës. “Mendoj se Madridi është i shtrenjtë, por të paktën nuk duhet të shkosh në anën tjetër të botës. Të shkosh në Baku për finalen e Europa League është shumë qesharake. Këta djem që marrin vendime të tilla, nuk e di çfarë hanë për mëngjes?”, u shpreh Klopp.

“Vitin e kaluar ishim në Kiev, një qytet i mrekullueshëm, por për një ekip në pjesën tjetër të botës nuk është destinacion i pëlqyeshëm”. “Madridi është i përgatitur për festën që do të bëhet atje, por Baku? Nuk kam asnjë ide si shkohet atje, apo nëse ka një linje të rregullt fluturimesh. Këta vendime duhet të jenë më të arsyeshme, më duken të paarsyeshme”, shtoi mes tjerash Klopp.

Tani, Federata e Futbollit e Azerbajxhanit iu është përgjigjur komenteve të Kloppit. Sekretari i përgjithshëm, Elkhan Mammadov, ka thënë se ai ishte habitur për të keq me deklaratën e trajnerit gjerman. “U habita për të keq me deklaratën e Jurgen Kloppit. Ai ma kishte dhënë përshtypjen se është njeri pozitiv. Për më shumë, ne e dimë që ai është specialist i madh që ka arritur shumë në futboll”, ka thënë Mammadov.

“Por, me këtë që ka ndodhur, unë nuk pajtohem aspak me mendimin e tij se futbolli duhet të jetë i kufizuar në aspektin gjeografik. Ne duhet t’i respektojmë dhe t’i promovojmë vlerat e futbollit. Njëra prej vlerave tona kryesore është që t’i largojmë kufijtë e futbollit”. “Pajtohem se udhëtimi për në Baku me autobus nga Londra do të jetë i vështirë, por që kur është bërë distanca pengesë për tifozët e vërtetë? Dua t’ua rikujtoj se tri qytete aplikuan në këtë tender: Sevilla, Stambolli dhe Baku. Askush nuk ua hoqi qyteteve të tjera të drejtën e aplikimit”.