Kinematografia shqiptare përfaqësohet në festivalin e filmit “Crossing Europe” në Linz të Austrisë. Regjisorja Iris Elezi njëkohësisht dhe drejtoreshë e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, ka bërë një përzgjedhje të filmave, që prezantojnë faza të ndryshme të kinematografisë sonë në “Crossing Europe”. Përzgjedhja e filmave për programin “Carte Blanche” është ndarë midis filmave të prodhuar në të kaluarën para viteve ’90, si dhe prodhimeve më të reja. Në festival krahas tre filmave artistikë të viteve ’70 realizuar nga regjisorja e njohur Xhanfise Keko, programi historik përfshin gjithashtu një komedi të dashur të realizuar nga Dhimitër Anagnosti, filmin “Përrallë nga e kaluara”.

Sa i takon krijimtarisë së regjisores së njohur Xhanfise Keko do të shfaqen në Austri filmat “Mimoza llastica”, “Tomka dhe shokët e tij” dhe “Kur po xhirohej një film”, që janë prodhime që i takojnë kinematografisë shqiptare para viteve ’90. Kjo pjesë e programit plotësohet me dy filma të tjerë, “Bota” nga Iris Elezi, dhe prodhimi më i fundit dhe i suksesshëm që u shfaq në festivale ndërkombëtare, “Nëntor i ftohtë” nga Ismet Sijarina.

Por një përmbledhje e programit për regjisore Xhanfise Keko do të jetë dhe në muajin maj në Muzeun e Filmit Austriak në datat 1 dhe 2 maj, ku gjithashtu do të jenë filmat “Mimoza llastica”, “Qyteti më i ri në botë”, “Tomka dhe shokët e tij”, si dhe “Kur po xhirohej një film”. Festivali “Crossing Europe” ku prezantohen dhe filmat shqiptarë nisi dje për të përfunduar më datë 30 prill.