Zëvendëskryeministri kinez Liu He, i cili kryeson delegacionin në negociatat tregtare me SHBA, tha se shkon në Uashington për bisedime të sinqerta dhe se rritja e tarifave nuk është zgjidhja e problemit. Në një intervistë me televizionin shtetëror kinez, CCTV, Liu shtoi se bisedimet kanë për qëllim përfundimin e luftës tregtare dhe konflikteve. ”Duam shkëmbime racionale dhe të sinqerta me negociatorët amerikanë”, shtoi ai.

Liu theksoi se “sigurisht, Kina beson se rritja e tarifave në situatën aktuale nuk është një zgjidhje për problemin, pasi ato janë të dëmshme për Kinën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për të gjithë botën”. “Ne nuk duhet të godasim njerëz të pafajshëm, kështu që shpresojmë që SHBA të gjejë një mënyrë optimale për të zgjidhur këtë problem”, vuri në dukje zëvendëskryeministri Liu He.