Nga shkolla e re “Betim Muço” në Kombinat, kandidati për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi e atë që se bënë për shumë vite dekanët, falë bashkëpunimit Bashki-qeveri, tashmë të rinjtë kanë në duart kartën e studentit që u mundëson atyre të përfitojnë nga çmime shumë të ulëta.

“Në një javë janë shpërndarë 10 mijë karta studentësh. U bë legjendë, erdhëm në 2015 ishim gati ta bënim, ligji i ri u dha pavarësi universiteteve, edhe unë e them gjithmonë që kur ke pavarësinë ke disa privilegje, por shumicën e gjërave janë përgjegjësi. Pra duhet të bësh gjënë për të cilën ke marrë përgjegjësi. Dhe ajo që ndodhi me kartën ishte që studentët me të drejtë, thanë i keni dhënë përgjegjësi rektorëve dhe dekanëve që bëjnë vetëm tendera për makina dhe për zyra, kush e di kur i vjen radha kartës së studentit. Në një qytet si në Tiranë, ka 20 universitete. Por kryeministri tha e di çfarë: Nëse nuk e nxjerrin dot qimen nga qulli, hajt ta provojmë si e bën Tirana”, tha Veliaj teksa shprehu bindjen se gjer në fund të verës, kartën e studentit do e kenë tërhequr 80 mijë të rinj dhe të reja.

“Unë besoj deri në fund të verës të 80 mijë studentët e Tiranës do të kenë kartën e tyre të studentit. Do kenë një mundësi sesi të marrin skonto, të marrin çmime më të ulëta, jo vetëm në shërbimet publike, por edhe në shumë shërbime private. Ne sot firmosëm me disa kompani, duke filluar nga ato të kancelarive, të celularëve, të bankave, të atyre që shesin libra, pra libraritë, kafenetë, dyqanet e ndryshme të veshjeve”, tha më tej Veliaj.

Veliaj u ndal edhe në një tjetër projekt madhor që do të marrë jenë në kryeqytet dhe që do të krijojë një mundësi të re për mijëra studentë që e shohin të ardhmen e tyre në Tiranë si vendin ideal për të studiuar dhe për të jetuar. Veliaj siguroi se Kampusi i ri Universitar do të transformojë tërësisht kushtet aktuale në të cilat jetojnë studentët.

“Ajo që është lajm i mirë është se më në fund do të kemi një kampus model universitar. Dhe për të gjithë studentët që i kanë kaluar vitet në kushte spartane, ku fakultetin e kishte një universitet, konviktin e kishte një ndërmarrje, më në fund në një dorë të vetme në lidershipin e Bashkisë së Tiranës dhe me ndihmën financiare të kryeministrit Edi Rama do t’i japim Tiranës kampusin e ri më modern që ka Ballkani për studentët. Ne do merremi me infrastrukturën, po studentët duhet të merren patjetër me 10-at. Nuk mund të jemi më rinia që ha fara dhe rri në kafe gjithë ditën, nëse kushtet i kemi atëherë duhet të bëjmë maksimumin që gjenerata e re e shqiptareve jo vetëm të ketë notat më të mira por edhe aftësitë për të na çuar aty ku meriton ky vend, një hapësirë dinjitoze evropiane”, theksoi kryebashkiaku Veliaj.